Kronika

Homazhet në nderim të Santos, familjarët e miqtë i japin lamtumirën e fundit

homazhetKanë nisur homazhet në ambientet e hotel “Sheraton” për biznesmenin e vrarë Artan Santo.

Në Tiranë po mbahen homazhet për të ndjerin Artan Santo, i cili u vra dje në një atentat nga dy persona që e ndiqnin me motor. Pak pas orës 10:00  kanë nisur homazhet në nder të Artan Santos. Familjarë, miq, politikanë, artistë dhe dashamirës kanë përshëndetur për herë të fundit biznesmenin dhe botuesin e suksesshëm dhe janë përkulur me respekt para trupit të pa jetë të të ndjerit.

Ishin vetë familjarët e bankierit të suksesshëm që njoftuan për këtë ceremoni, ndërsa hapën dyert për ngushëllim për të gjithë ata që e njohën dhe vlerësuan Artan Santon.

Kryetari i PD-së Lulzim Basha

 

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha dhe bashkëshortja e tij kanë kryer homazhet para arkivolit të Santos. Basha u shprehu ngushëllime familjes dhe la shënimet e fundit në librin e kujtimeve.

Ministrat Tahiri, Panariti dhe Koka

Pjesë e homazheve ishin dhe Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti, dhe Ministri i Mjedisit, Lefter Koka. Pas nderimeve të kryera pranë arkivolit, me trupin e të ndjerit Artan Santo, të dy ministrat kanë lënë kujtimet e tyre të fundit, në bllokun e ngushëllimeve. Ndërkohë, ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, i cili mori pjesë në homazhet e të ndjerit Artan Santo, i bëri nderimet e fundit, por nuk ka pranuar të bëjë asnjë koment për median në lidhje me këtë ngjarje.

Deputeti PS-së Koço Kokëdhima

Në homazhe ka marrë pjesë dhe deputeti i Partisë Socialiste Koço Kokëdhima, për të cilin vrasja e Santos ka qenë një goditje e madhe për të gjithë.

Kryeministri Rama dhe kreu i Parlamentit Meta

Pjesë e homazheve është bërë dhe kryeministri i vendit, Edi Rama, së bashku me kreun e Kuvendit Ilir Meta, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi.

Meta u shprehu ngushëllimet më të sinqerta familjarëve dhe kolegëve të Santos.

Deri më tani kanë marrë pjesë persona të shumtë të fushës së medias, të artit, të politikës etj.

Grupi Parlamentar i PS-së

Një përfaqësi e deputetëve të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste i kanë bërë nderimet e fundit biznesmenit Santo. Deputetët Erjon Braçe, Blendi Klosi, Ilirian Celibashi, Musa Ulqini, Taulant Balla dhe Tom Doshi u përkulën para arkivolit me trupin e pajetë dhe i shprehën ngushëllime familjes.

Ish-kryeministri Fatos Nano

Pjesë e homazheve është bërë dhe ish-kryeministri i vendit, Fatos Nano, së bashku me bashkëshorten e tij, Xhoana Nano. Në shenjë respekti, bashkëshortja e Nanos, u ndal para arkivolit, me trupin e pajetë të Artan Santos, me një tufë me lule. Më pas, Fatos Nano ka lënë shënimet e fundit në bllokun e kujtimeve, në nder të të ndjerit Artan Santo.

Guvernatori i BB-së, Fullani

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani, ambasadori italian, deputetë, dhe miq të familjes, janë përkulur para trupit të Santos dhe i kanë shprehur ngushëllimet familjes.

Vlerësime nga personalitete të ndryshme për të ndjerin Santo

Lulzim Basha: Sot i japim lamtumirën e fundit Artan Santos, një miku, një qytetari një punëtori të pa lodhur. Një dritë shprese që njerëzit e gjenin tek ai, pasi nuk e gjenin gjetkë. Të një miku të madh të artit dhe artistëve të një babai, bashkëshorti, biri. Ngushëllimet e mia më të ndjera për familjen e Tan Santos. Uroj që zoti t’ua lehtësojë dhimbjen dhe ti lërë me kujtimet më të mira të të shtrenjtit të tyre. Eshtë një krim makabër, një mizoritet mafioz. Ngjalli terror dhe frikë. Si i tillë do të shërbejë si një thirrje e madhe qytetare, si një ngritje në këmbë për t’i dalë para dhe për ta ndalur të keqen me çdo kusht.

Luan Bregasi: Na iku një shok shumë i mirë, një mik, sipërmarrësi i talentuar dhe i suksesshëm. Në gjithë këtë aktivitet për tërë këto vite, Tani do mbetet një nga sipërmarrësit më të suksesshëm. Ndihemi keq sot, që Artan Santon s’do ta kemi më. Kemi besimin që ky aktivitet do të vazhdojë, dhe i bëjmë thirrje shtetit, institucioneve, që të bëjnë çështje e mundur që të zbardhet kjo vrasje, e mikut tonë, Artan Santos.

Koço Kokëdhima: Është një ditë dhimbjeje, jo vetëm për familjen, për të afërmit, për bashkëpunëtorët, por dhe për qytetarët e Shqipërisë. Kjo ishte një goditje që iu bë të gjithëve. Ne e kishim mik, shok dhe kam folur vazhdimisht me të.

Ilir Meta: Është një moment shumë i trishtueshëm për ti dhënë lamtumirën një personalitetit të shquar të shoqërisë, të ekonomisë, një prej pionierëve të modernizimit bankar në vendit tonë, një prej njohësve të ekonomisë. Natyrisht në këtë ditë trishtimi i shpreh ngushëllime familjarëve dhe kolegëve, nuk mund të rreshtim së kërkuari vënie para drejtësisë të ekzekutueseve dhe atyre që urdhëruan ekzekutimin. Pasi kjo është një dorë mizore, që ndahu nga jeta në këtë moshë një njeri. Kjo do të do ti jap një mësim shoqërisë.

Aleksandër Çipa: Kam humbur një partner dhe mik të shkëlqyer që u shqua për sqimën e tij në shumë pikëpamje. Kishte ambicie intelektuale që u shprehën jo vetëm në sipërmarrjen fëminore në kinematografi. Ishte mbështetës i artistëve shqiptar. Jam mik dhe ish- komshi i tij. Ndaj dhimbjen dhe pikëllimin për një humbje që shkakton një boshësi që s’mund të mbushet. Ishte bashkëpunëtor i të gjitha mediave. Ka një meritë se krijoi median e profiluar shqiptare, siç është “Tv Scan” që adresonte opinionin e shoqërisë shqiptare tek ekonomia

Anastas Angjeli: Akti kriminal më ka tronditur jo vetëm për mua po për gjithë opinionin publik. Humbëm një mik, unë humba një shok shkolle, një mik profesioni, një bashkëudhëtar në sistemin e financave, një aktor të rëndësishëm të mediave dhe sistemit bankar një mik të mirë dhe familjar të mirë. Është detyrë e autoriteteve ligjore të veprojnë me shpejtësi për të gjetur dhe ndëshkuar autorët, me qëllim që të gjithë së bashku të ecim para por mos lëmë kurrë gjurmë të tilla.

Fatos Nano: Ju falënderoj që më jepni mundësinë që të shpreh një vlerësim të merituar për një personalitet të pa zëvendësueshëm. Humbja e tij na lë me një boshllëk vështirësisht të kapërcyeshëm të mikut të jashtëzakonshëm Artan Santo. Mbetet kampion i shfrytëzimit të lirisë në dobi të tjerëve.

Jozefina Topalli: Të gjithë jemi të shokuar. Kjo është ngjarja më e rëndë pas vrasjes së Azem Hajdarit. Do them ato fjalë që mendoj për zotin Santo. Impresionues që në takimin parë, inteligjent, njeri i shkolluar. Vlerësoj kontributin e tij. Ajo që ka ndodhur është më e rëndë nga ç’mund ta themi me fjalë. Ngushëllime familjes!

Ardian Fullani: Humbje e madhe për sistemin bankar. Për mikun tonë kujtimet më të mira. Do na mungojë buza gaz e tanit i qeshur. Jeta vazhdon ta kujtojmë gjithmonë për të m,ira. Është një humbje për sistemin bankar, se ai e krijoi vet institucionin dhe e çoi para. Një institucion që i bëri ballë krizës bankare. Banka ka një staf të përgatitur i cili i motivuar me dhimbje por i motivuar për ta çuar duke i bërë respektin e fundit këtij djali për ta vazhduar punën e tij dhe për të pasur jo vetëm një institucion solid por një institucion të rëndësishëm për ekonominë shqiptare.

Mesazhe ngushëllimi 

Teatri Kombëtar: Me dhimbje dhe hidhërim të thellë Teatri Kombëtar mori lajmin për ndarjen nga jeta të mikut dhe bashkëpunëtorit Artan Santo, anëtar i respektuar i Bordit Artistik, mungesën e të cilit do ta ndjejnë të gjithë ata që e njohën dhe punuan me të. Artan Santo krijoi një standard të ri për institucionin tonë. Duke qenë një nga biznesmenët më të mëdhenj shqiptarë, ai gjithsesi me dashuri dhe devocion gjeti gjithmonë kohën për t’ia kushtuar teatrit. Ai ishte një dashamires i madh i artit i cili nuk hezitoi kurrë të jepte ndihmën e tij të paçmuar në këtë fushë. Kontributi i tij do të mbetet i paharruar për Teatrin Kombëtar.

Dhoma e Tregtisë dhe e Industrisë

Mesazhe ngushëllimi, për humbjen dhe ndarjen nga jeta të biznesmenit të njohur Artan Santo ka përcjell dhe Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë. Me anë të një mesazhi, DHTI, i shpreh ngushëllime të thella familjarëve për humbjen e njeriut të tyre të dashur.

“Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tirane i shpreh ngushëllimet e saj familjes dhe njerëzve të dashur të Artan Santos. Vrasja e një prej sipërmarrësve më të shquar të Shqipërisë është dhimbje e madhe për sipërmarrjen private dhe të gjithë shqiptarët. Një apel për policinë për gjetjen sa më shpejt të autorëve të krimit dhe dënimin e tyre me gjithë ashpërsinë e ligjit. Apel politikës për vlerësimin e rolit të sipërmarrjes private dhe mbrojtjen e saj. Apel qytetarëve shqiptarë për qytetari dhe ndjeshmëri.”-thuhet në mesazhin e ngushëllimit.

Federata Shqiptare e Atletikës

Me anë të një mesazhi ngushëllimi, Presidenti i Federatës së Atletikës, Gjergj Ruli ka theksuar: “Federata Shqiptare e Atletikës, në emër të gjithë komunitetit të atletikës, përcjell ngushëllimet më të sinqerta për humbjen e dhimbshme të Artan Santos, njeriut që vrapoi me hapin e kohës, njeriut që nuk njihte finish! Shprehim solidaritetin tonë familjes dhe bashkëpunëtorëve të tij.”

 

Ndërsa rreth orës 16:00, trupi i bankierit dhe biznesmenit të suksesshëm do të përcillet për në banesën e fundit pranë varrezave të Sharrës.

 

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button