☁️
Tiranë 15°C · Vranët 26 Tetor 2026
S&P 500 7,624 ▼0.52%
DOW 52,215 ▼1.23%
NASDAQ 25,955 ▼0.21%
NAFTA 101.23 ▼1.98%
ARI 4,028 ▲0.51%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1209 EUR/GBP 0.8382 EUR/CHF 0.9243 EUR/ALL 90.7400 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.5193 EUR/TRY 55.8163 EUR/JPY 175.84 EUR/CAD 1.5707 EUR/USD 1.1209 EUR/GBP 0.8382 EUR/CHF 0.9243 EUR/ALL 90.7400 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.5193 EUR/TRY 55.8163 EUR/JPY 175.84 EUR/CAD 1.5707
₿ CRYPTO
BTC $79,760 ▼ -1.07% ETH $2,309 ▼ -1.47% XRP $1.2755 ▼ -2.07% SOL $100.2400 ▼ -1.26%
S&P 500 7,624 ▼0.52 % DOW 52,215 ▼1.23 % NASDAQ 25,955 ▼0.21 % NAFTA 101.23 ▼1.98 % ARI 4,028 ▲0.51 % S&P 500 7,624 ▼0.52 % DOW 52,215 ▼1.23 % NASDAQ 25,955 ▼0.21 % NAFTA 101.23 ▼1.98 % ARI 4,028 ▲0.51 %
EUR/USD 1.1209 EUR/GBP 0.8382 EUR/CHF 0.9243 EUR/ALL 90.7400 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.5193 EUR/TRY 55.8163 EUR/JPY 175.84 EUR/CAD 1.5707 EUR/USD 1.1209 EUR/GBP 0.8382 EUR/CHF 0.9243 EUR/ALL 90.7400 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.5193 EUR/TRY 55.8163 EUR/JPY 175.84 EUR/CAD 1.5707
26 Tet 2026
Breaking
Opinion

Humbi!

Nga Enver Robelli

Dalje historike në zgjedhjet parlamentare në Serbi, njerëz me maska në Beograd, një anëtar i një komisioni lokal zgjedhor që hëngri dy fletëvotime, disa hingëllima kali dhe një mesazh me qebapë nga Hungaria: shënime mbi ditën dhe natën kur Aleksandar Vuçuqi humbi zgjedhjet. Me këmbë të mbarë…

1.

Në Serbi përfunduan zgjedhjet parlamentare. Vendvotimet ishin të hapura nga ora 07:00 deri në orën 20:00. Aleksandar Vuçiq i humbi zgjedhjet. Dhe 90 minuta pas mbylljes së vendvotimeve e pranoi humbjen. Ky është lajm i mirë për Serbinë dhe për rajonin.

2.

Pjesëmarrja në zgjedhje duket se është historike. Sipas të gjitha gjasave, ajo është mbi 70 për qind. Pa diasporën. Pjesëmarrja në zgjedhjet presidenciale të vitit 2000, të cilat shënuan fillimin e rrëzimit të diktatorit Sllobodan Millosheviq, ishte 71 për qind.

3.

Një pjesë e madhe e diasporës serbe, e cila jeton në shtete funksionale, ka mbështetur Listën Studentore, e cila synon ta largojë nga pushteti ish-presidentin Aleksandar Vuçiq. Për këtë arsye, regjimi ka tentuar të pengojë pjesëmarrjen e diasporës. Në Zürich njerëzit kanë pritur para konsullatës serbe mbi 7 orë për të votuar. Në Kanada vendvotimi është hapur në orën 2 të natës, sepse regjimi ka insistuar që zgjedhjet edhe jashtë Serbisë të mbahen sipas orës së Serbisë.

4.

Sipas pretendimeve të Fakultetit të Bujqësisë, që ndodhet në bllokadë (domethënë një fakultet që proteston kundër regjimit), zëvendëskryetari i komisionit zgjedhor në një qendër votimi në Despotovac të Serbisë qendrore ka ngrënë dy fletëvotime. Ngjarje të tjera pikante: ka pasur rrahje, blerje votash e fotografim votash; në 8 për qind të vendvotimeve është votuar pa dokumente të vlefshme, ndërsa në 30 për qind të vendvotimeve ka pasur probleme me llambat ultravjollcë. Të dhënat vijnë nga organizata joqeveritare CRTA.

5.

Në një vendvotim, njerëzit që po prisnin në radhë janë tallur me Dragan J. Vuçiçeviqin, njërin nga propagandistët më të mëdhenj të regjimit dhe botuesin e “gazetës” Informer: kanë hingëlluar për t’ia bërë me dije se është kalë. I autokratit Aleksandar Vuçiq.

6.

Portali i revistës “Vreme” njoftoi në mbrëmje se shumë njerëz të veshur me rroba të zeza, shumica me maska, po mblidheshin në vendin e ashtuquajtur Cacilend, në qendër të Beogradit. Më parë, aty Vuçiqi i tubonte përkrahësit e tij, kryesisht të dhunshëm. Frika ishte e madhe se regjimi mund të provokojë dhunë. E ashtuquajtura “Listë Studentore”, e cila sfidoi Vuçiqin në zgjedhje, u bëri thirrje përkrahësve të mos mblidhen në vende ku ka prani të policisë dhe të mbështetësve të regjimit, për të mos rënë në kurthin e Vuçiqit.

7.

Kryeministri hungarez Peter Magyar ka publikuar në rrjetin X një fotografi ku shihet duke ngrënë qebapë dhe ka treguar se sot në Serbi mbahen “zgjedhje të rëndësishme”. Ky postim i tij ka ngjallur interpretime të ndryshme. Nëse rezultati mes regjimit dhe opozitës në Serbi do të jetë afërsisht i barabartë, atëherë votat e partisë së minoritetit hungarez do të jenë vendimtare. Magyar ka pasur përplasje me autokratin Vuçiq, i cili ka qenë i lidhur ngushtë me autokratin hungarez Viktor Orban.

8.

Pjesëmarrja në zgjedhje në Luginën e Preshevës – të banuar me shumicë nga shqiptarët – duket se është e ulët. Kjo është për keqardhje, sepse, në rast se rezultati është i ngushtë, votat e deputetëve të pakicave mund të jenë vendimtare. Ta zëmë se Lëvizja Studentore i ka 124 deputetë dhe dy mandate i fiton koalicioni shqiptar: këto dy vota janë përcaktuese për krijimin e qeverisë. Megjithatë, duket se opozita e re do të fitojë më shumë se 126 mandate.

9.

Frika se regjimi nuk do ta pranojë rezultatin e zgjedhjeve duket e pabazë, së paku tani për tani. Pasi Vuçiq pranoi humbjen, mijëra serbe e serbë dolën në rrugë e sheshe në Serbi për të festuar fitoren.

10.

Ajo që ndodhi të dielën në Serbi e ka zanafillën më 1 nëntor 2024: atëbotë, në Novi Sad, qytetin e dytë më të madh të vendit, u shemb streha prej betoni e stacionit kryesor hekurudhor. Vdiqën 16 veta. Për shumë qytetarë të Serbisë ishte e qartë se fajtor ishte regjimi për shkak të punimeve joprofesionale – e këto qenë pasojë, sipas kritikëve, e korrupsionit dhe e keqqeverisjes. Pushteti tentoi t’i fshihte shkaqet e aksidentit dhe kjo nxiti lëvizjen më të madhe protestuese në Serbi që nga rënia e Millosheviqit.

11.

Për 14 vjet në pushtet, Vuçiq mbajti një qëndrim ambivalent ndaj Kosovës. Ai mori pjesë në dialogun e ndërmjetësuar nga Brukseli “për normalizimin e marrëdhënieve” me Kosovën, por kundërshtoi pavarësinë e saj, duke instrumentalizuar serbët e Kosovës dhe duke i keqpërdorur për lojëra nacionaliste në Serbi.

Formalisht, Vuçiqi mbështeti marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013, që mundësoi integrimin e policëve, gjyqtarëve dhe strukturave serbe në institucionet kosovare, por nuk hoqi dorë asnjëherë nga projekti për ndarjen e Kosovës. Ndikimin në Kosovë e ruajti duke financuar institucionet paralele të pakicës serbe dhe sidomos duke përkrahur Listën Serbe, të themeluar më 2013. Kjo parti, më shumë se mbrojtëse e interesave të pakicës serbe në Kosovë, ishte dorë e zgjatur e Beogradit në destabilizimin e Kosovës.

Me miratimin e dy partive kosovare (PDK dhe LDK), Vuçiqi siguroi zotimin e Kosovës për themelimin e një asociacioni të komunave serbe. Më vonë ai lansoi projektin për ndarjen e Kosovës, të maskuar si “korrigjim kufijsh”, dhe si partner në këtë mësymje e gjeti presidentin e Kosovës Hashim Thaçi. Projekti dështoi për shkak të rezistencës në Kosovë dhe të shteteve të fuqishme europiane, si Britania e Madhe dhe Gjermania.

Në pranverën e vitit 2023, kryeministri i Kosovës Albin Kurti tërthorazi pranoi, me marrëveshjen e Ohrit, asociacionin e komunave serbe, por insistoi që Serbia të nënshkruante një marrëveshje që nënkupton pranimin e heshtur të shtetësisë së Kosovës. Vuçiq refuzoi me arsyetimin se po i dhembte dora dhe s’mund të nënshkruante. BE-ja tha se marrëveshja vlente edhe pa nënshkrim. Një arsyetim i çuditshëm i Brukselit. I cili nuk solli asnjë përparim në raportet mes dy vendeve.

Në shtator 2023, Vuçiqi bëri përpjekjen me gjasë të fundit të përgjakshme dhe kriminale për të ndarë Kosovën: më 24 shtator, banda terroriste e Millan Radojçiqit, nënkryetarit të Listës Serbe, sulmoi policinë e Kosovës në veri të vendit. Me atë rast u vra një polic i Kosovës dhe u plagosën disa të tjerë. Policia e Kosovës eliminoi tre terroristë, ndërsa pjesa më e madhe e tyre, e prirë nga Radojçiqi dhe me gjasë pas presionit perëndimor ndaj Kosovës, u lejua të largohej në drejtim të Serbisë.

12.

Lista Studentore nuk ka qëndrim shumë të ndryshëm nga ai i Vuçiqit sa i përket Kosovës. Edhe kjo listë kundërshton pavarësinë e Kosovës. Mbetet të shihet nëse qeveria e re do ta arrestojë dhe do ta nxjerrë para gjyqit Millan Radojçiqin, i cili jeton i lirë në Serbi. Por fillimisht qeveria e re do të ketë shumë punë në Serbi.

Humbja e Vuçiqit është lajmi i dytë i mirë sivjet nga Europa Lindore: në pranverë, pushtetin në Hungari e humbi Viktor Orbani. Dy autokratë shkuan. Me këmbë të mbarë…

13.

Edhe një lajm fantastik te numri i kobshem 13 (sipas besëtytnisë): Me gjasë të madhe jashtë parlamentit të Serbisë ka mbetur Ivica Daçiq, ish-zëdhënësi i Partisë Socialiste të Serbisë të Slobodan Millosheviqit dhe kryetari kësaj partie. Në fushatën elektorale Daçiq e përshkroi veten si “faktor stabiliteti”. Vizitoi Moskën dhe zëdhënëses së Ministrisë së Jashtme i dhuroi veshje tradicionale serbe, ndërsa kryediplomatit rus një kuti me figura shahu. Daçiq po ashtu premtoi se flamuri serb do të valojë në Prizren. Duket se të dielën flamurin e partisë së tij e mori përgjithmonë me vete dhe me shpresën e shumë njerëzve në Ballkan për të mos u kthyer kurrë në politikë.

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.