Bota

Hungari: Sinopharm dhe Sputnik në vend të planit të vaksinimit të BE

Pas vaksinimit me vaksinën ruse, në Hungari do të nisin shumë shpejt vaksinimet me vaksinën kineze. Kryeministri Viktor Orban dëshiron të jetë më i shpejtë se pjesa tjetër e BE. Por mjekët dhe popullata janë skeptikë.

Vaksina e re nga Kina nuk duket se ka gjetur ende shumë të interesuar në rrugët e Budapestit. Një grua, që shëtit qenin e saj përgjatë Sheshit Kossuth, mohon me dorën e saj. “Unë nuk i besoj asaj,” thotë ajo. Ajo nuk dëshiron të vaksinohet me përbërësin agjentin aktiv “Vero” të zhvilluar nga kompania shtetërore kineze Sinopharm.

Balázs Boldog e sheh këtë në mënyrë të ngjashme. “Unë do të bëja vaksinën kineze vetëm po të mos kisha asnjë mundësi tjetër – por ka”, thotë 45-vjeçari. Ai tregon ndërtesën e Parlamentit hungarez në anën tjetër të sheshit. “Ata duan të na detyrojnë këtë vaksinë pa pasur njohuri shkencore në lidhje me të.”

Qeveria hungareze kishte muaj që ia kishte vënë syrin vaksinës kineze. Tani ajo ndodhet në Hungari: 550.000 doza “Vero” mbërritën në Aeroportin e Budapestit të martën e kësaj jave. Në fund të janarit, Hungaria ishte i pari dhe deri tani i vetmi vend i BE që miratoi vaksinën kineze. Një shumë totale prej pesë milionë dozash pritet të mbërrijnë brenda katër muajve të ardhshëm. Kjo do të mundësonte që të vaksinohen 2.5 milionë njerëz në vend – rreth një e katërta e popullsisë hungareze.

Kryeministri Viktor Orbán tha në një intervistë me radion shtetërore “Kossuth Rádió” se vaksina kineze mund të përdoret për të vaksinuar të gjithë njerëzit që janë regjistruar në internet për një vaksinim deri për Pashkë. Por përpara se furnizimi nga Pekini t’u jepet mjekëve, ai do të kontrollohet nga Qendra për Shëndetin Publik Kombëtar (NNK).

Ka mungesë njohurish shkencore për agjentët aktivë të Sinopharm

Qeveria hungareze ka miratuar tashmë edhe vaksinën ruse Sputnik V – gjithashtu si i vetmi vend në BE. Që nga e premtja e kaluar, Sputnik V është injektuar në katër spitale të Budapestit, sipas mjekut të shtetit Cecília Müller. Një shumë e përgjithshme prej dy milionë dozash do të dorëzohen në Hungari në tre muajt e ardhshëm. Në fillim të shkurtit, revista e specializuar “The Lancet” konfirmoi se vaksina ruse ishte 91.6 përqind efektive pas një analize paraprake të studimit të Fazës III.

Ende nuk ka njohuri të ngjashme të besueshme në lidhje me agjentin aktiv të Sinopharm. Kina thotë se vaksina ka një efikasitet 79.3 përqind. Emiratet e Bashkuara Arabe thonë se 86 përqind. Deri tani, Sinopharm ka marrë miratim emergjent në 13 vende të botës dhe është injektuar te 30 milionë njerëz, sipas qeverisë hungareze. Në Evropë, vaksina deri tani është injektuar vetëm në Serbi. Tani pason Hungaria.

Kritika ndaj strategjisë së vaksinimit të BE-së

Miratimi i agjentit aktiv të Sinopharm, si dhe ai i Sputnik V, u bë pa miratimin paraprak nga Agjencia Evropiane e Medikamenteve(EMA). Shtetet anëtare të BE-së mund të japin në mënyrë të pavarur miratime emergjente për vaksinat. Për javë të tëra, anëtarët e qeverisë hungareze kanë kritikuar fushatën e vaksinimit gjoja jo dinamike të Bashkimit Evropian.

Në një fjalim në parlamentin hungarez të hënën, kryeministri Orbán tha se Hungarisë i duhen të gjitha vaksinat që mund të merrte për të mbrojtur jetën e njerëzve dhe vendet e punës nga koronavirusi. Disa ditë më parë ai kishte thënë se nuk dëshironte të priste që vaksinat të aprovohen nga EMA në të ardhmen: “Specialistët tanë janë të paktën po aq të mirë sa ekspertët evropianë. Unë nuk i besoj më studimeve të Autoritetit shëndetësor të Brukselit më shumë se atyre hungareze, po anasjelltas, unë i besoj hungarezit më shumë sesa atij të Brukselit ”.

Prokurim vaksinash me llogari politike?

Kritikët e akuzojnë qeverinë e Orbanit se ndjek llogari politike me miratimin e vaksinave. Për vite me radhë, Hungaria ka qenë në një mosmarrëveshje me BE për pajtueshmërinë me sundimin e ligjit. Në të njëjtën kohë, qeveria hungareze iu afrua Rusisë dhe Kinës. “Politika e Orbanit këtu formësohet më shumë nga pozitat gjeopolitike sesa nga preokupimet e vërteta shëndetësore,” i tha DW eurodeputeti i Gjelbër Reinhard Bütikofer.

Kritika nga shoqata mjekësore

Popullsia e Hungarisë mbetet skeptike në lidhje me vaksinën kineze. Një sondazh i fundit nga instituti i studimit të opinionit Medián tregoi se vetëm rreth një e katërta e të gjithë atyre që dëshirojnë të vaksinohen do të ishin të gatshëm të injektonin agjentin aktiv Sinopharm. Ndërsa Sputnik V do ta pranonte 43 përqind e të anketuarve, 84 përqind u besojnë vaksinave të zhvilluara në Perëndim.

Ekspertët kanë frikë se miratimi i agjentit aktiv Sinopharm mund të ulë gatishmërinë e përgjithshme për të vaksinuar në Hungari. Shoqata Mjekësore Hungareze (MOK) kritikoi gjithashtu se injektimi i një vaksine të testuar në mënyrë të pamjaftueshme mund të çojë në “një krizë serioze të ndërgjegjes” për shumë mjekë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button