Ekonomia

Hyjnë në fuqi sanksionet e BE-së kundër Bankës Qendrore Ruse

BRUKSEL, 28 shkurt /ATSH-AA/ – Sanksionet e BE-së kundër Bankës Qendrore Ruse hynë në fuqi pasi u publikuan në Gazetën Zyrtare të BE-së.

”Ato përfshijnë një ndalim të transaksioneve me institucionin financiar rus”, sipas presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Të gjitha asetet e bankës në BE do të ngrihen gjithashtu në një përpjekje për të bllokuar financimin e luftës së presidentit rus Vladimir Putin kundër Ukrainës.

Masa konsiderohet po aq serioze sa edhe përjashtimi i planifikuar i institucioneve financiare ruse nga rrjeti bankar SWIFT.

”Sanksionet e BE-së të kombinuara me ato të partnerëve të saj G7 nënkuptojnë se rreth gjysma e rezervave financiare të Bankës Qendrore Ruse do të ngrijnë”, deklaroi dje në mbrëmje shefi i diplomacisë i BE-së, Josep Borrell.

Sipas ekspertëve, kjo do të thotë se Rusia nuk do të jetë më në gjendje të përdorë zotërimet e saj në valutë të huaj për të stabilizuar rublën.

Monedha ruse tashmë është dobësuar, gjë që do të sjellë vështirësi të mëtejshme për popullin rus.

”Jo të gjitha rezervat e Bankës Qendrore të Rusisë mund të ngrijnë, sepse ato nuk janë të gjitha në shtetet perëndimore. BE-ja nuk mund të bllokojë rezervat në Moskë apo Kinë, për shembull. Rusia ka fshehur gjithnjë e më shumë rezervat e saj në vendet ku ato nuk mund të bllokohen”, theksoi Borell.

BE planifikon gjithashtu të vendosë sanksione të mëtejshme kundër aleatit të Rusisë, Bjellorusisë, dhe kundër oligarkëve, biznesmenëve dhe politikanëve rusë.

Në një lëvizje befasuese, presidenti zviceran Ignazio Cassis tha se ishte “shumë e mundshme” që qeveria e tij të vendoste të ngrijë asetet ruse në vend. Cassis më parë kishte theksuar neutralitetin zviceran dhe tha se Zvicra nuk do të vendosë sanksione pavarësisht pushtimit rus të Ukrainës.

***

Nderkohe Banka e Rusisë ka rritur normën bazë të interesit në një rekord prej 20%. Banorët rusë do të duhet të shkëmbejnë 80% të të ardhurave të marra nga valuta të huaja në rubla. Kjo lëvizje erdhi në përgjigje të sanksioneve financiare që u vendosën nga SHBA dhe aleatët e saj për shkak të pushtimit të Ukrainës. Vendet perëndimore kanë vënë sanksione ndaj Rusisë duke sjellë edhe kufizimin e aksesit të saj në tregjet e huaja dhe rezervat e veta valutore. Banka qendrore ruse tha se masat emergjente synojnë të ofrojnë stabilitet shtesë dhe të mbrojnë kursimet nga zhvlerësimi. Masa të mëtejshme mund të merren në varësi të kushteve të jashtme dhe të brendshme dhe faktorëve të tjerë. Monedha kombëtare ruse ra në nivel rekord, pasi G7, apo grupi i vendeve më të industrializuara, vendosi sanksione të ashpra financiare kundër Rusisë. Rubla ra të hënën në 114 kundrejt dollarit amerikan, krahasuar me 83.7 në fund të javës së kaluar. Rubla ka humbur rreth 40 për qind të vlerës së saj që nga fundi i tetorit, kur Rusia ka nisur të grumbullojë trupa në kufi me Ukrainën.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button