Hyn në fuqi tarifa e re për lejet e ndërtimit
Tarifa që do të paguhet për çdo aplikim për të realizuar punime me qëllim ndërtimi në Bashkinë e Tiranës ka hyrë tashmë në fuqi.
Sipas dokumentit të Paketës Fiskale të këtij viti, tarifa do të paguhet për çdo aplikim për leje zhvillimi, infrastrukture dhe ndërtimi sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi për planifikimin e terriorit. Ajo llogaritet në bazë të sipërfaqes së punimeve sipas preventivave përkatës për këto sipërfaqe.
Niveli i tarifës është në masën 1% të vlerës së investimit dhe depozitohet për llogari të financimit të instrumentave vendorë të planifikimit dhe kontrollit të zhvillimit të territorit në Bashkinë e Tiranës.
Në vendim thuhet se kjo tarifë paguhet brenda 5 ditëve nga data e aplikimit dhe lëshimit të autorizimit të pagesës nga Drejtoria e Përgjithshme e Planifikimit dhe Zhvillimit të Territorit. Pra, nëse një qytetar do të aplikojë pranë Bashkisë për të kryer punime në banesën e tij në vlerë 200,000 lekë atëherë do të paguajë 2,000 lekë.
Bashkia përcakton kushtin se subjektit nuk i miratohet vendimi për lejen përkatëse, nëse nuk paraqet vërtetimin e kryerjes së pagesës brenda afatit të sipërpërmedur. Dhe në këtë rast tarifa e paguar i kthehet aplikuesit në rastin e mosmiratimit të lejes. Por, nga kjo pagesë përjashtohet Bashkia e Tiranës ku ajo është në rolin e investitorit të objekteve.