Hyseni e Peci bisedojnë për luftën ndaj krimit
Ministri i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni, ka pritur në takim një delegacion nga këshilli Gjyqësor i Kosovës, të kryesuar nga Enver Peci, kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës.
Në këtë takim u bisedua për bashkëpunimin në mes të dy institucioneve me qëllim të ofrimit të shërbimeve më të mira për qytetarët e Kosovës, të cilët ballafaqohen në procese të ndryshme gjyqësore, por edhe ato të ndalimit policor.
Ky takim është në vazhdën e bashkëpunimit të shkëlqyer në mes të dy institucioneve, në fushën e përbashkët të luftimit të krimit, sidomos të aspekteve që procedohen pas intervenimit të domosdoshëm të Policisë së Kosovës dhe në fazat e gjykimit të qytetarëve që dyshohen për vepra të ndryshme penale.
Kohë më parë Ministria e Punëve të Brendshme dhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës, kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi, e cila krijon bazat që ministria të ofrojë të dhënat e caktuara personale për të gjetur dhe identifikuar më lehtë personat e ndryshëm që janë palë në procedurat e ndryshme gjyqësore, duke i ofruar të dhënat e caktuara personale nga Regjistri Civil i Ministrisë së Brendshme të Kosovës.