I fejuari i Merushes: E pëlqyem njëri-tjetrin që në takimin e parë
Kur ia pashë duart me kallo, i thashë se nuk duhej të punonte më
“Ne ishim shumë të lumtur me njëri-tjetrin dhe nisëm të projektonim ëndrrat e së ardhmes”
Nuk është aq e lehtë të gjesh banesën e Viktor Muhametajt, i cili dje do të fejohej zyrtarisht me Merushe Vrapin, të cilën e masakroi barbarisht xhaxhai i saj, ashtu si edhe babanë, nënën dhe xhaxhain e vogël, të cilët u qëlluan me nga një fishek arme gjahu në kokë prej familjarit të tyre, Bajram Vrapit. Shtëpia e 24-vjeçarit ndodhet në periferi të fshatit Drizë, në jug të ish-Azotikut. Të gjithë në fshat e kanë dëgjuar atë që ka ndodhur në Suk-2 të Rrethit të Fierit dhe të orientojnë për te banesa e re e ndërtuar nga Viktori dhe vëllai i tij më i madh. Kur shkojmë në shtëpi ndodhet vetëm e ëma, e cila sapo mëson se jemi gazetarë nis të përlotet dhe të shpjegojë se askush nuk e kishte menduar se mund të ndodhte një gjë e tillë. Ndërkohë, ajo shpreh edhe shqetësimin e saj për të birin, Viktorin, pasi ka frikë se mos ngjarja e lëndon rëndë psikologjikisht. “Ne po përgatiteshim të shkonim te shtëpia e krushkut. Djali foli që në mëngjes me Merushen. Edhe unë fola rreth orës 08:00. Nuk na tha njeri se kishte ndonjë problem. Madje mësuam se kishin përgatitur edhe drekën e po na prisnin. Duhet të ketë qenë ora 09:00 kur djali nisi të vishte xhinset dhe këmishën, por në atë çast e telefonoi një shok dhe i tha për atë që kishte ndodhur. Ai nuk e besonte dot. Por shoku i nisi mesazh dhe i tha që të shikonte ngjarjen në televizor. Kur e pamë me sytë tanë, nuk donim ta besonim që ishte e vërtetë. Djali telefonoi Merushen, por askush nuk përgjigjej nga ana tjetër. Kjo që ndodhi nuk mund të imagjinohet, jemi të tronditur”, thotë Tefta Muhametaj, e cila më pas telefonon të birin dhe i thotë që të vijë në shtëpi. Kur 24-vjeçari Viktor Muhametaj mbërrin në shtëpi, përpiqet që të mos e japë veten dhe kujdeset nëse e ëma i ka qerasur mysafirët. Më pas, ndonëse nuk preferon që të fotografohet, u përgjigjet me qetësi pyetjeve, duke rrëfyer gjithçka mbi dy ditët e fundit, kur ka njohur Merushen dhe ëndrrat që kishin nisur të thurnin së bashku për të ardhmen.
Kur e takuat për herë të parë Merushen?
Ne u takuam për herë të parë pasditen e së dielës në banesën e fqinjit tonë, Kadriut, që në fakt ishte ai i cili kishte menduar se ne mund të lidhnim jetën me njëri-tjetrin. Pasi qëndruam për pak kohë së bashku me nënën time dhe prindërit e Merushes na lanë që të bisedonim vetëm. Kemi qëndruar për rreth dy orë me njëri-tjetrin në privatësi dhe aty kemi biseduar për shumë gjëra. Kuptova se ashtu si unë, edhe Merushja ishte e lumtur për atë që po ndodhte, dukej vërtet e gëzuar.
Ju thatë se qëndruat vetëm dy orë me njëri-tjetrin. Mjaftoi kjo kohë për të krijuar një ndjenjë afërsie te ju?
Unë u ndjeva mirë. Isha i kënaqur dhe besoj se Merushja ishte më e gëzuar se unë. Biseduam për të kaluarën tonë, sesi kishte qenë jeta jonë dhe sesi donim që të ishte në të ardhmen. I thashë se pasi të bëhej fejesa, mund të vinte edhe ajo tek shtëpia jonë e ta shëtisja në vende të bukura. Me sa më tha, ajo nuk kishte lëvizur. Kishte qëndruar gjithmonë në shtëpi e kishte punuar. Kur i thashë se do të shkonim së bashku me makinë në disa pika turistike, u gëzua shumë. Kemi folur shpeshherë në telefon gjatë këtyre dy ditëve. Mendoj se, edhe pse koha ishte mjaft e shkurtër, krijuam një ndjenjë të fortë për njëri-tjetrin. Dukej që ishte një vajzë e mirë dhe ishte mjaft e sinqertë e punëtore. Por më erdhi keq për jetën e mundimshme që kishte bërë, dukej se kishte punuar shumë.
Pse mendoni kështu?
Kur po bisedonim i pashë duart që i kishte me kallo. Dukej se kryente punë të rënda. I thashë se që këtej e tutje nuk duhej më të punonte kështu. Madje edhe kur kemi folur në telefon i thosha që të kujdesej më shumë për veten e të mos kryente më punë të rënda.
Ku ishit kur e morët lajmin tragjik?
Kam qenë duke u përgatitur për të shkuar në drekën që do të zhvillohej te shtëpia e Merushes. Nuk jam i sigurt, por duhet të ketë qenë ora 09:00. E kishim lënë që në orën 10:00 do të ishim te shtëpia e Merushes. Isha duke veshur këmishën kur një shok më mori në telefon e më thotë për atë që kishte ndodhur. Nuk e besova … dhe i thashë se nuk mund të ishte e vërtetë. Por pas pak, ai më tha që të shikoja në televizor atë që kishte ndodhur. E vendosëm në një stacion lajmesh dhe atëherë pamë atë që kishte ndodhur. Mbetëm pa fjalë edhe unë, edhe nëna. Menjëherë telefonova Merushen. Zilja binte, por askush nuk e ngrinte telefonin. Nuk doja t’u besoja syve. Mendoj se nuk do të ketë më një fejesë të dytë për mua. Kam kaluar mjaft gjëra të rënda në jetë, por kjo ishte ajo më e rënda. Edhe pse kishim vetëm dy ditë që ishim njohur nga afër, mendoj se të dy ishim të gëzuar për këtë që kishte ndodhur.