I mituri përplas makinën me shtyllat, ndërron jetë 15-vjeçari në Kamëz
Një aksident i rëndë ka ndodhur në Kamëz në rrugën e quajtur “Donald Trump”, ku një makinë e tipit “Benz” është përplasur me dy shtylla, njërën hekuri dhe tjetrën betoni, kjo sipas qytetarëve.
Brenda makinës së aksidentuar kanë qenë 5 fëmijë të moshave 13 deri në 15 vjeç si dhe drejtuesi i mjetit.
Ndërkohë që policia konfirmon se një 15-vjeçar fatkeqësisht ka ndërruar jetë.
Njoftimi i plotë i policisë:
Më datë 17.09.2017, rreth orës 15:25, në Numrin e Emergjencave 112 ka ardhur një telefonatë për një mjet të përplasur me një shtyllë në Kamëz.
Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e policisë dhe ambulanca ku nga verifikimi paraprak ka rezultuar se :
Në rrugën “Donald Tramp”, në Kamëz drejtuesi i mjetit tip “Benz”, shtetasi E.P.,15 vjeç, ka humbur kontrollin e mjetit ku për pasojë është përplasur me një shtyllë.
Si pasojë e përplasjes janë dëmtuar tre fëmijë, shtetasit E.B, 11 vjeç, K.T., 16 vjeç dhe K.C,. rreth 15 vjeç (të tre pasagjer në mjetin tip “Benz”.
Shtetasi K.C., rreth 15 vjeç ka ndërruar jetë rrugës për në spital, ndërsa dy të dëmtuarit e tjerë janë jashtë rrezikut për jetën.
Drejtuesi i mjetit është shoqëruar në ambientet e policisë për veprime të mëtejshme dhe grupi hetimor po punon për zbardhjen e shkaqeve dhe rrethanave të përplasjes.
Qytetari nga vendngjarja ka thënë:
Ishte një aksident i tmerrshëm, nga përplasja e madhe fëmijët kanë dalë nga xhamat e makinës dhe përfunduan të shtrirë në tokë në drejtime të ndryshme nga njëri-tjetri. Ishin 5 fëmijë dhe 2 janë në gjendje shumë të rëndë me çarje të mëdha në kokë.
I morën disa makina rastësisht dhe i dërguan në spital se po jepnin shpirt dy fëmijët.”
Më tej qytetari tregon se ishin kalimtarët ata që kanë bërë punën e ambulancës, e cila sipas tij është vonuar më shumë se 30 minuta.
Shpresojmë që fëmijët bashkë me drejtuesin e mjetit të shpëtojnë shëndosh e mirë që të gjithë dhe mos harroni: udhëtoni me kujdes!