IA mund të parashikojë shanset e mbijetesës nga kanceri nëpërmjet fotografisë së fytyrës
MASASHUTSES, 2 nëntor /ATSH-AA/ – Studiuesit amerikanë kanë zhvilluar një mjet të inteligjencës artificiale që mund të parashikojë shanset e mbijetesës së pacientëve me kancer nga një fotografi e vetme e fytyrës, sipas një studimi të publikuar të hënën në revistën “The Lancet Digital Health”.
Sistemi, i quajtur FAHR-Face, është zhvilluar nga studiuesit e “Mass General Brigham”, në shtetin amerikan Massachusetts. Ai analizon tiparet e fytyrës për të vlerësuar moshën biologjike dhe rrezikun e vdekshmërisë, duke ndihmuar potencialisht mjekët në marrjen e vendimeve për trajtimin.
Modeli është trajnuar me më shumë se 40 milionë fotografi të fytyrave dhe është përshtatur në dy mjete: FAHR-FaceAge, që vlerëson moshën biologjike, dhe FAHR-FaceSurvival, që parashikon drejtpërdrejt mbijetesën e pacientëve me kancer nga imazhet e fytyrës, pa u mbështetur në vlerësimet e moshës.
Studiuesit zbuluan se modeli për parashikimin e mbijetesës përqendrohej kryesisht në zonat poshtë syve dhe përreth hundës, ndërsa modeli për vlerësimin e moshës analizonte tiparet e fytyrës rreth gojës dhe tëmthave. Kjo sugjeron se të dy sistemet identifikojnë modele të ndryshme që lidhen me shëndetin.
Modeli për parashikimin e mbijetesës u trajnua me imazhe të 34.363 pacientëve dhe u testua te 3.820 të tjerë. Rezultatet u verifikuan në mënyrë të pavarur duke përdorur të dhëna nga 4.892 pacientë me kancer në Holandë.
Studiuesit zbuluan se pacientët e klasifikuar në grupin me rrezikun më të lartë kishin më shumë se tri herë rrezikun e vdekshmërisë krahasuar me ata në grupin me rrezikun më të ulët, edhe pasi u morën parasysh faktorët klinikë.
Pacientët, fytyrat e të cilëve dukeshin të paktën pesë vjet më të moshuara se mosha e tyre reale, kishin gjithashtu një rrezik vdekshmërie 21 për qind më të lartë, ndërsa ata që dukeshin të paktën pesë vjet më të rinj kishin një rrezik 17 për qind më të ulët.
Sipas studimit, kombinimi i dy modeleve përmirësoi më tej saktësinë e parashikimeve për mbijetesën.
Studiuesit thanë se kjo teknologji mund t’i ndihmojë mjekët të vlerësojnë gjendjen shëndetësore të pacientëve dhe të orientojnë vendimet për trajtimin, megjithëse nevojiten verifikime të mëtejshme përpara se ajo të përdoret gjerësisht në praktikën klinike.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.