Ibrahimaj në interpelancë: Qeveria ka frenuar ndikimin e krizës së karburanteve
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, zhvilloi sot një interpelancë në Kuvend mbi rritjen e çmimeve të karburanteve dhe masat e ndërmarra nga qeveria për mbrojtjen e qytetarëve dhe ruajtjen e stabilitetit ekonomik të vendit.
Në fjalën e saj, ministrja Ibrahimaj theksoi se rritja e çmimeve të karburanteve është pasojë e drejtpërdrejtë e tensioneve gjeopolitike në Lindjen e Mesme, pasigurive në tregjet globale të energjisë dhe luhatjeve në zinxhirët ndërkombëtarë të furnizimit, zhvillime që kanë prekur të gjitha ekonomitë e lidhura me tregjet ndërkombëtare.
Ministrja bëri të ditur se qeveria shqiptare ka reaguar që në momentet e para të krizës, duke garantuar fillimisht sigurinë e furnizimit me karburante dhe më pas monitorimin e tregut për të shmangur spekulimet dhe abuzimet me çmimet.
“Ne kemi vepruar në kohë, me përgjegjësi dhe me maturi. Kemi shmangur panikun, kemi shmangur spekulimet dhe kemi zgjedhur të reagojmë me qetësi dhe përgjegjësi, përmes monitorimit të tregut, transparencës dhe mbështetjes së targetuar”, u shpreh Ibrahimaj.
Detyra jonë kryesore, theksoi ministrja, është ruajtja e stabilitetit ekonomik.
“Në situata të tilla rreziku, ne jemi kujdesur që të monitorojmë rritjen e kostove dhe gjithashtu tentativat për krijim paniku dhe spekulime në treg. Pikërisht për këtë arsye, ndërhyrja e shtetit përmes monitorimit dhe transparencës, në gjykimin tonë, është thelbësore”, deklaroi ministrja Ibrahimaj.
“Ne gjykojmë se, në tërësi, masat e marra, të cilat kanë qenë të kujdesshme, jo të nxituara dhe të ndërmarra në kohën e duhur, kanë qenë masat e duhura për strukturën ekonomike që ka vendi”, vijoi ajo.
Ministrja Ibrahimaj nënvizoi gjithashtu se masat e ndërmarra nga qeveria shqiptare janë vlerësuar edhe nga institucione financiare ndërkombëtare, pasi kanë qenë të targetuara drejt shtresave më në nevojë.
“Masat e marra nga qeveria shqiptare janë vlerësuar, sepse ato kanë qenë të orientuara drejt shtresave që nuk mund ta përballonin rritjen e çmimeve”, tha ministrja.
“Ne nuk kemi pritur një krizë për të rritur pagat. Ne jemi kujdesur që të rrisim pagat, të rrisim pagën minimale, të indeksojmë pensionet çdo vit, me qëllim që rritja e çmimeve të mos jetë një barrë për pensionistët. Pra, kemi marrë masa dhe politika me qëllim që të garantojmë që inflacioni të mos gërryejë të ardhurat e qytetarëve shqiptarë”, deklaroi Ministrja.
Ibrahimaj theksoi se janë në kuadër të situatës së ardhur nga tensionet në Lindjen e Mesme, janë ngritur grupe monitorimi ndërinstitucionale, ndërsa është aktivizuar Bordi i Transparencës për karburantet, i cili kontrollon marzhet e tregtimit dhe garanton reflektimin e drejtë të luhatjeve të bursave ndërkombëtare në tregun vendas.
Duke iu referuar të dhënave të bursës ndërkombëtare “Platts Mediterranean”, ministrja theksoi se çmimi i naftës është rritur deri në 87% krahasuar me periudhën para krizës, ndërsa në tregun vendas rritja e çmimit të karburantit ka qenë dukshëm më e moderuar, mesatarisht 18–21% gjatë muajve mars-prill 2026.
Ajo theksoi gjithashtu se inflacioni i ushqimeve ka mbetur në nivele të ulëta, ndërsa qeveria ka vijuar mbështetjen për qytetarët përmes rritjes së pagës minimale, indeksimit të pensioneve dhe subvencionimit të transportit publik.
“Shqipëria, në muajin prill 2026, ka një inflacion prej 2,8%, çka do të thotë se inflacioni mbetet pranë objektivit të Bankës së Shqipërisë dhe garanton një zhvillim ekonomik pranë potencialit të ekonomisë. Në muajin mars inflacioni ishte 2,6%, në shkurt 2,5% dhe në janar 2,3%”, tha Ibrahimaj.
Shqipëria, nënvizoi ministrja, renditet ndër vendet me inflacionin më të ulët në Ballkanin Perëndimor dhe Europën Juglindore.
“Për krahasim, në të njëjtin muaj, inflacioni në Serbi ishte 3,3%, në Mal të Zi 3,8%, në Maqedoninë e Veriut 5,7%, në Greqi 5,4%, në Kroaci 5,8% dhe në Rumani 10,7%. Italia ishte në të njëjtin nivel me Shqipërinë, 2,8%, ndërsa Franca ishte 2,2%”, u shpreh ministrja.
Në fjalën e saj, ministrja solli në vëmendje edhe treguesit pozitivë të ekonomisë shqiptare gjatë muajve të parë të vitit 2026, ku vetëm për dy muajt e parë janë regjistruar 3 760 biznese të reja, ose 14,6% më shumë krahasuar me një vit më parë.
Ministrja Ibrahimaj garantoi se qeveria do të vijojë monitorimin e situatës dhe do të ndërmarrë çdo masë të nevojshme për mbrojtjen e familjeve shqiptare dhe ruajtjen e stabilitetit ekonomik të vendit.
“Qeveria nuk do të rrijë duarkryq nëse situata përkeqësohet, por ndërhyrjet e panevojshme, kur tregu funksionon, përbëjnë keqmenaxhim të burimeve publike”, deklaroi ministrja Ibrahimaj.
/tvklan.al



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.