Ikja e kredisë, ekspertët: Duhet model i ri zhvillimi
Ekspertët thonë se rritja e fortë e kredive që bankat kanë dhënë për bizneset jashtë Shqipërisë, ndonëse sjell fitime për to, është një situatë padëshirueshme për ekonominë vendase.
“Jemi në një situatë paradokse, kur kemi fonde, kemi para, qoftë në popullatë, qoftë në banka dhe për një arsye ose për një tjetër nuk arrijnë të gjenerohen në mënyrë të suksesshme brenda në ekonomi. Është mëse e qartë, mëse e dukshme që diçka nuk funksionon”, thotë Elvin Meka, profesor i Financës.
Në harkun kohor të një viti, bankat shqiptare dhanë 28 miliardë lekë kredi për bizneset jashtë Shqipërisë. Për Arjan Kadarenë, profesor i financës, eksodi i kapitalit lidhet me pritshmëritë jo optimiste që bankat kanë për të ardhmen në vendin tonë.
“Në një kohë që sistemi bankar merr masa dhe investon jashtë, tregon që ata nuk parashikojnë ndonjë përmirësim të situatës brenda”, vlerëson Arjan Kadare, ish-anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë.
Ndërsa Elvin Meka thotë se prirja e bankave për të investuar jashtë diktohet nga modeli ekonomik i vendit, sipas tij i ezuruar dhe pa aftësi për të absorbuar financime.
“Shikojmë që bankat e kanë gjithmonë e më të vështirë që me këtë model ekonomik të aplikuar në Shqipëri të përmbushin jo vetëm pritshmëritë e grupeve të tyre, por në edhe të përgjigjen sa më mirë që të jetë e mundur asaj se çfarë kërkohet nga tregu”, thotë Meka.
Ekspertët bien dakord se Shqipëria ka nevojë të ndryshojë për të parë rrugë të reja zhvillimi dhe këtu roli i qeverisë, sipas tyre, është kritik.
“Qasja e re kërkon institucione të reja, tregje të reja, sektorë të rinj drejt të cilëve mund dhe duhet të orientohet zhvillimi”, vlerëson Meka.
“Unë them që ka projekte të cilat mund të jenë me leverdi, por që për arsye të këtij oreksi të vogël për risk nuk financohen, por duke futur një aktor të madh, siç është qeveria, duke garantuar një pjesë të riskut, atëherë kreditorët do të mund të jenë më interesuar. Pra, projekte të tilla edhe mund të zgjidhen dhe kreditorët mund të fillojnë ta ulin këtë nivel të perceptuar të riskut”, thotë Kadare.
Përveçse kanë dhënë gati 500 milionë dollarë kredi për bizneset e huaja, bankat shqiptare kanë edhe 2 miliardë dollarë të tjera investime jashtë në formën e depozitave pranë mëmave apo blerjes së letrave me vlerë të qeverive të ndryshme. Shifrat tregojnë se edhe pse kanë fonde të lira dhe likuiditet me bollëk, bankat po e kanë gjithmonë e më të vështirë për t’i investuar ato para në ekonominë e brendshme, ndonëse nevojat e Shqipërisë për investime janë të mëdha.