Incident i rëndë pranë bazës amerikane në Britani, dyshohet për terrorizëm
Policia britanike ka njoftuar një “incident madhor” në afërsi të një baze të Forcave Ajrore Mbretërore, duke evakuuar komunitetet që ndodhen pranë saj dhe duke arrestuar persona të shumtë të dyshuar për krime përmes lëndëve shpërthyese.
“Një numër banesash u evakuuan në zonën Uellford, pas njoftimit për një incident serioz”, deklaroi një zyrtar i policisë lokale, i cili shtoi se një skuadër speciale anti-eksploziv kontrolloi një seri makinash që u ndodhën pranë.
Ndërkohë, një kordon trupash ushtarake u vendos për të mbajtur larg banorët dhe autoritetet thanë se kufizuan përmasat e dëmeve që mund të shkaktonte incidenti.
Zona e Uellfordit ndodhet pranë bazës Feirford të Forcave Ajrore Mbretërore, ku ndodhen edhe avionë të forcave ajrore amerikane.
Në korrik, Garda Revolucionare iraniane paralajmëroi Mbretërinë e Bashkuar që të mos lejonte avionët amerikanë të përdornin bazat britanike, përfshirë atë Feirfod.
“Çdo bazë që përdoret për të pushtuar territorin iranian është objektiv legjitim”, deklaroi asokohe Garda, duke shtuar se Shtetet e Bashkuara kishin nisur të përdornin avionët luftarakë të tipit “B1” për të bombarduar Iranin, duke u nisur nga baza në fjalë.
Lidhur me ngjarjen reagoi edhe kryeministri Andy Burnham, i cili tha se po informohet vazhdimisht nga autoritetet lokale, por refuzoi të bënte komente apo të ngrinte akuza.
Hetimet për zbardhjen e incidentit madhor, sipas raportimeve të BBC, po drejtohen nga agjentë të seksionit të anti-terrorit të policisë britanike.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.