Incidenti në protestë me gazetarin Bledi Mane, reagon policia: Askush nuk merr dot ligjin në dorë
Policia e Shtetit ka reaguar pas incidentit të 5 tetorit në Tiranë, ku gazetari Bledi Mane u sulmua, duke bërë të ditur se po vijojnë veprimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Sipas Policisë, strukturat përgjegjëse po punojnë për të sqaruar rrethanat e incidentit, identifikuar personat e përfshirë dhe referuar çështjen në Prokurori, në përputhje me procedurat ligjore.
Policia thekson se dënon çdo formë dhune, kanosjeje apo intimidimi ndaj qytetarëve, ndërsa nënvizon se e drejta për protestë paqësore është e garantuar nga Kushtetuta.
Megjithatë, sipas uniformave blu, kjo e drejtë nuk mund të përdoret për të kërcënuar apo sulmuar persona të tjerë për shkak të bindjeve apo qëndrimeve të tyre.
“Askush nuk mund të marrë ligjin në duart e veta, të vendosë se kush duhet ndëshkuar dhe ta zbatojë këtë vendim në rrugë. Zbatimi i ligjit është përgjegjësi ekskluzive e institucioneve të shtetit”, thuhet në reagimin e Policisë.
Policia u ka bërë thirrje qytetarëve që të shmangin konfrontimet dhe të mos i përgjigjen dhunës me dhunë. Për çdo rast kërcënimi apo kanosjeje, qytetarët ftohen t’u drejtohen strukturave të Policisë, ndërsa garantohet se kallëzimet do të trajtohen në përputhje me ligjin.
Në fund të reagimit, Policia e Shtetit thekson se do të mbrojë në mënyrë të barabartë si qytetarët që protestojnë, ashtu edhe ata që kanë qëndrime të ndryshme.
“Liria e protestës, liria e shprehjes dhe siguria e çdo qytetari garantohen nga ligji dhe do të mbrohen pa asnjë dallim”, përfundon deklarata.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.