Incidenti te selia e PD, Bozdo: Sulm i paprovokuar nga njerëzit, u dëmtuam të gjithë
Deputeti i Partisë Demokratike, Eno Bozdo, ka akuzuar Policinë e Shtetit për përdorimin e bombolave të gazit lotsjellës pranë selisë së PD-së në Tiranë, duke e cilësuar ndërhyrjen si të paprovokuar.
Në një deklaratë nga vendngjarja, Bozdo tha se në momentin e ndërhyrjes në zonë ndodheshin dhjetëra e qindra simpatizantë dhe zyrtarë të Partisë Demokratike. Sipas tij, ai kishte parë mbi 10 automjete policie të rrethuara, ndërsa nga disa prej tyre u hodhën njëkohësisht bombola gazi, disa prej të cilave ranë pranë hyrjes së selisë blu.
Deputeti pretendoi se hedhja e gazit shkaktoi panik te personat që ndodheshin në oborrin e Partisë Demokratike, duke shtuar se ai dhe kolegë të tjerë deputetë tentuan të komunikonin me efektivët për të kuptuar arsyet e ndërhyrjes.
“Ne kemi kërkuar komandantin për t’u sqaruar, sepse nuk kuptohet për çfarë arsye pati një sulm absolutisht të paprovokuar te njerëzit që rrinin brenda oborrit të Partisë Demokratike”, u shpreh Bozdo.
Ai mohoi që në oborrin e selisë të kishte protestues, duke pretenduar se personat e pranishëm ishin vetëm anëtarë dhe simpatizantë të PD-së.
Bozdo e cilësoi situatën si të turpshme, ndërsa tha se edhe vetë ishte dëmtuar nga gazi lotsjellës. Ai përmendi gjithashtu praninë e dy ambulancave dhe personat që, sipas tij, ndodheshin në gjendje të rënduar.
“Kush i provokon? Çfarë pune? Le të vazhdojnë punën e tyre. Kjo është e turpshme”, përfundoi deputeti demokrat.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.