INDEP: Ka ndërhyrje politike tek mediat
Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) ka publikuar raportin vjetor Gjendja e Mediave në Kosovë në Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Mediave.
Raporti për vitin 2014 liston përmirësimet ligjore si zhvillime pozitive ndërkohë që presioni ndaj gazetarëve dhe ndërhyrja politike ndaj RTK-së cilësohen si probleme të vazhdueshme.
Këtë vit, raporti është fokusuar gjithashtu tek mungesa e qëndrueshmërisë financiare të skenës mediatike kosovare. Raporti thekson se mungesa e përdorimit të metodave moderne të menaxhimit biznesor mediatik ka ndikim serioz te mediat si dhe te pavarësia e tyre.
“Është tejet e rëndësishme që mediat të arrijnë qëndrueshmëri financiare në mënyrë që të sigurohet një liri e vërtetë e shtypit në Kosovë,” ka thënë Burim Ejupi, Drejtor Ekzekutiv i INDEP, transmeton KP.
“Kjo do të ishte hapi i parë për anashkalimin e largimeve nga puna që u vunë re tek transmetuesi publik dhe disa media private së fundmi”.
I publikuar rregullisht nga viti 2012, raporti është një analizë e zhvillimeve dhe ngecjeve të sektorit mediatik në Kosovë. Nëpërmjet këtij raporti INDEP synon zhvillimin e proceseve për zgjidhjen e problemeve të vazhdueshme që ndikojnë lirinë e shprehjes dhe mediave në vend.
Organet rregullative të medias në Kosovë vazhdojnë të përballen me kapacitete të pamjaftueshme dhe me ndërhyrje politike në punën e tyre thuhet në raport.
Më tej thuhet se ky është një problem që vazhdon të përsëritet në këto institucione, të cilave u nevojitet një formë e vullnetit të mirë nga ana e ligjvënësve dhe e organeve ekzekutive me qëllim të zgjidhjes së këtyre problemeve.
Raporti gjithashtu thotë se sistemi relativisht i rregullt ligjor vazhdon të mos implementohet dhe si i tillë është jo efikas. Për të arritur një nivel të kënaqshëm të situatës duhet të sigurohet implementimi i ligjeve dhe përndjekja penale e sulmuesve ndaj lirisë së mediave.