Infektologu Gashi: Malaria mund të jetë fatale, rastet në Kosovë janë të importuara
Pas konfirmimit nga Qendra Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) se një shtetase e huaj është diagnostikuar me malarie dhe po mjekohet në Klinikën Infektive, infektologu dr. Visar Gashi tha përKosovaPress se sëmundja mund të jetë e rrezikshme dhe në raste të rënda mund të shkaktojë edhe fatalitet.
Dr. Gashi bëri të ditur se rastet e malaries në Kosovë janë raste të importuara nga zonat endemike.
“Rastet kështu domethënë vijnë vetëm të importuara. Përmendet i tillë një pacient i cili është te na, siç është përmendur në portalet e ndryshme, por këto zakonisht janë raste të importuara nga vendet e zonat endemike”, tha infektologu.
Në Kosovë dyshimi për malarie duhet të ngrihet, sidomos te personat që kanë udhëtuar në zona endemike dhe paraqiten me temperaturë, vë në dukje infektologu Gashi.
“Normalisht nëse flasim për në Kosovë, nëse personat që kanë udhëtuar në ato zona dhe kthehen prej vendeve të zonave endemike, paraqitja tek mjeku është me temperaturë. Se shenja e parë është temperatura. Edhe është rregull kështu si me protokoll që nëse vjen një person prej vendeve endemike e ka temperaturë, tri herë duhet menduar: malari, malari, malari, pastaj duhet menduar për sëmundje të tjera të zonave apo të sëmundjeve endemike. Temperatura, e cila nuk largohet, nuk shërohet apo nuk tërhiqet me analgetikë apo antipiretikë, edhe arsyeja është se është temperaturë periodike, nuk është tërë kohën. Domethënë, është varësisht prej ciklit ku paraziti futet në eritrocitet (rruzat e kuqe të gjakut) kur ndodh edhe shkatërrimi i tyre, atëherë fillon temperatura dhe është piku ku shfaqen këto probleme. Dhe kjo është alarm që mjeku duhet menduar kur personi vjen prej zonave endemike që të kërkojë ndihmë e të dërgojë pacientin kryesisht në klinikën infektive”, tha ai.
Duke shpjeguar për sëmundjen, Gashi tha se malaria është e kufizuar në zona të caktuara për shkak të llojit të mushkonjave që e bartin.
“Malaria është një sëmundje parazitare, e cila është zakonisht endemike në zonat afrikane dhe sub-sahariane. Domethënë, kur flasim endemike i bie kështu për dëgjuesit e shikuesit tuaj që është sëmundje vetëm në një zonë të caktuar. Dhe kjo është arsyeja më tepër për shkak të mushkonjave të caktuara, një lloj të cilat fatmirësisht nuk gjenden në Evropë. Dhe andaj është kjo sëmundje e kufizuar vetëm për ato zona. Dhe po, është e rrezikshme nëse flasim kështu aspektin e përgjithshëm shëndetësor për personat që gjenden në ato zona, po jetojnë apo ata të cilët shkojnë, se po, ka rrezik për shkak, sepse është si sëmundjet e tjera normale infektive, varet prej imunitetit shëndetësor për personin nëse ka sëmundje kronike. Mund të jetë e rrezikshme, besa edhe me fatalitet”, tha Gashi.
Ai shpjegoi edhe procesin e diagnostikimit dhe trajtimit të sëmundjes.
“Normalisht diagnostika është fatmirësisht te ne është e shpejtë. Në momentin që dyshojmë se është një rast i importuar nga zonat endemike me malari, merren analizat që quhet test rapid, i cili domethënë na tregon se vetëm kemi malari. Më pas bëhen analizat që quhet pika e dendur dhe strisho periferike, ku mikrobiologu e sheh parazitin në pikën e dendur dhe atëherë më pas fillon të identifikohet edhe lloji i malaries, se janë zakonisht katër lloje të parazitëve të malaries. Më pas trajtimi duhet të fillojë menjëherë. Në momentin që ne kemi konfirmimin me test rapid se kemi të bëjmë me malari, duhet të fillojë trajtimi. Dhe trajtimi varet nga gjendja e pacientit. Nëse pacienti është klinikisht me thënë stabil, pra vetëm me temperaturë dhe del rezultati pozitiv, vendoset me antimalarik oral. Përndryshe, nëse pacienti vjen në gjendje të rëndë, pa vetëdije, atëherë vendoset me antimalarik intravenoz ose me infuzione”, tha Gashi.
Duke folur për parandalimin, ai tha se personat që udhëtojnë në zonat endemike duhet të konsultohen me infektologun dhe të marrin masa mbrojtëse.
“Normalisht në shtetet e tjera është e rregulluar me ligj. Shpresoj që edhe këtu të bëhet kjo sikurse vendet e ndryshme të Evropës dhe në Amerikë, ku personat para se të udhëtojnë në zonat endemike, atëherë duhet gjithsesi të bëjnë një konsultë me infektologun dhe të shohin, sepse nuk është vetëm malaria, kemi dhe sëmundje të tjera. Atëherë duhet të shikohet për mundësitë e vaksinimit apo mundësitë e trajtimit. Transmetimi i malaries duhet me u marrë profilaksë, e cila zakonisht është tableta Malarone, ku merret dhe gjatë qëndrimit në zonat endemike duhet tërë kohën të marrë profilaksë”, ka thënë ai.
Një shtetase e huaj është diagnostikuar me malarie dhe po merr trajtim në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Sipas njoftimit të QKUK-së, pacientja është pranuar më 1 gusht në gjendje të rënduar shëndetësore, pa vetëdije dhe me parametra vitalë e laboratorikë jashtë vlerave normale.
Gjatë vlerësimit epidemiologjik është konstatuar se ajo kishte udhëtuar së fundmi në zona ku malaria është sëmundje endemike. Për këtë arsye janë kryer ekzaminime specifike, të cilat konfirmuan diagnozën e malaries.
Pas konfirmimit të sëmundjes, pacientja ka nisur menjëherë trajtimin specifik antimalarik dhe po mbahet nën kujdesin e mjekëve infektologë në Klinikën Infektive.
QKUK ka bërë të ditur se gjendja e saj aktuale është e qëndrueshme. Fillimisht pacientja kishte vështirësi në komunikim, ndërsa sipas raportit të fundit të datës 5 gusht 2026, ajo komunikon normalisht dhe parametrat vitalë e laboratorikë po përmirësohen gradualisht.
Sipas të dhënave të mbikëqyrjes epidemiologjike, në Kosovë janë raportuar edhe më herët raste të malaries. Gjatë periudhës 2022–2025 janë regjistruar tetë raste, të gjitha të importuara nga persona që kishin udhëtuar ose kishin ardhur nga vende të kontinentit afrikan, ku malaria është e përhapur.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.