Eksportet shqiptare kanë vijuar të shënojnë një rritje të fortë edhe në muajin prill, duke reflektuar rikuperim pas situatës së krijuar për shkak të pandemisë së virusit Sars-COV-2
Të dhënat e INSTAT tregojnë se në prill 2021 eksportet e mallrave arritën vlerën 29 miliardë lekë, duke u rritur me 92,3%, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe ulur me 9,5%, në krahasim me marsin 2021.
Edhe në krahasim me prillin 2019, eksportet janë në rritje me 7.3%, duke i arritur me shpejtësi nivelet e para krizës.
Për 4-mujorin, eksportet u rritën me 35% me bazë vjetore, duke arritur në 109 miliardë lekë. Edhe në raport me 4-mujorin 2019, tendenca është sërish në zgjerim, me 10%.
Të gjithë sektorët shënojnë rritje të eksporteve, por ecuri më të mirë po e shënojnë eksportet e metaleve, si rrjedhojë e kërkesës së fortë dhe shtrenjtimi të ndjeshëm të çmimeve.
Ndërkohë importet e mallrave arritën vlerën 63 miliardë lekë, duke u rritur me 72,9 %, në krahasim me një vit më parë. Krahasuar me mesataren mujore të tre viteve, 2018-2020,
importet në muajin prill 2021 u rritën me 29,1 %.
Deficiti tregtar i këtij muaji, sipas INSTAT, është 34 miliardë lekë, duke u rritur me 59,4 %, krahasuar me prill 2020 dhe me 4,4 %, në krahasim me mars 2021. Krahasuar me mesataren mujore të tre viteve, 2018-2020, deficiti tregtar në muajin prill 2021 u rrit me 32,1 %.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.