Ekonomia

INSTAT: Kosto e ndërtimit është ulur; Ndërtuesit: ja pse kemi rritur çmimet

Kostot e ndërtimit të banesave rezultojnë të jenë ulur lehtë në pjesën e parë të këtij viti, në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në tremujorin e dytë 2016 ndryshimi vjetor i indeksit të kushtimit në ndërtim (për banesa) është -0,2 %. Një vit më parë ky ndryshim ishte 0,4 %, raportoi INSTAT.

Krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2015, uljen më të madhe e ka patur grupi “Shpenzime  transporti” me 3,5 %, pasuar nga grupi “Shpenzime për energji” me 0,4 %.

Krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2015, rritja më e madhe vjetore vërehet në grupin ”Shpenzime për paga” me 1,6 %, pasuar nga grupi “Shpenzime materiale” me 1,5 %.

Në tremujorin e dytë 2016 ndryshimi tremujor i indeksit është 0,3 %. Krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2016, rritjen më të madhe e ka patur grupi “Shpenzime materiale” me 0,9 %. Brenda këtij grupi, nëngrupi “Materiale elektrike dhe komunikimi” u rrit me 1,1 %, pasuar nga nëngrupet “Materiale ndërtimi” dhe “Materiale hidro-sanitare” respektivisht me 1,0 % dhe 0,8 %. Krahasuar me tremujorin e mëparshëm grupet “Shpenzime për paga” dhe “Shpenzime makinerie” u rritën respektivisht me 0,3 % secili.

Krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2016, indeksi i grupit “Shpenzime të tjera” u ul me 0,8 %, pasuar nga grupi “Shpenzime transporti” me 0,5 %.

Çmimet ndërkohë janë rritur mbi 10%, efekti kryesor nga taksat

Por, për ndërtuesit sektori i ndërtimit paraqet një panoramë krejt tjetër. Sipas tyre, kostoja e ndërtimit është rritur mesatarisht 6-8% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Luigj Aleksi, ndërtues dhe përfaqësues i Shoqatës së Ndërtuesve, thotë se sektori i ndërtimit po përballet me një mungesë të plotë të kërkesës dhe se shitjet janë afër nivelit zero. Në Tiranë, thotë z.Aleksi çmimet janë në nivelet që përcakton tregu.

Ndërsa ndërtuesi Hajredin Fratari thotë se shkaqet krysore që kanë ndikuar në rritjen e çmimeve të banesave janë: dhjetëfishimi i Taksës së Infrastrukturës që i paguhet bashkisë, shtrenjtimi i çmimeve të materialeve të ndërtimit, niveli i lartë i çmimit të karburantit, i energjisë elektrike si dhe e kostos së punës.

Sipas raportit më të fundit të Bankës së Shqipërisë, Indeksi i Çmimit të Banesave në tremujorin e parë u rrit me rreth 11.3% me bazë vjetore.

Sipas ndërtuesve, arsyet e rritjes së çmimeve lidhen tërësisht me shtimin e ngarkesës fiskale (taksa e ndikimit në infrastrukturë dhe ajo e banesës për stokun e pashitur) dhe jo me faktorë të kërkesës.

Kostot e ndërtuesve janë rënduar nga aplikimi i taksës së banesës mbi inventarët. Tani ndërtuesit paguajnë taksën e banesës për objektet e përfunduara, të cilat ende nuk janë shitur. Në Tiranë, ndërtuesit posedojnë stok për shkak të kërkesës të dobët, ndaj tatimin e kanë përfshirë në çmimet finale të banesave.

Përpos kësaj takse, në fillim të këtij viti, taksa e ndikimit në infrastrukturë është rritur në 8% të çmimit të shitjes nga 4% e kostos që ishte më parë. Dyfishimi nga 4 në 8%, por edhe ndryshimi i bazës së llogaritjes nga kosto në çmimin e shitjes ka rritur ndjeshëm barrën fiskale.

P.sh. një ndërtues, që shet apartamente me 900 euro/m2 dhe ka kosto ndërtimi prej 500 euro/m2, më parë paguante taksë infrastrukture 20 euro/m² (500 euro/m2*0.04), ndërsa tani do të duhet të paguajë 72 eur/m2 (900 euro/m2*0.08), apo 3.6 herë më shumë.

Ndërtuesit thonë se për banesa në periferi, rritja e çmimit përllogaritet në rreth 50 euro/m².

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button