Politika

Integrimi, Gjosha nga Brukseli: Angazhim maksimal për reformën në drejtësi

Ministrja e Integrimit Europian, Klajda Gjosha ka zhvilluar një vizitë pune në Bruksel, ku është takuar me zyrtarë të lartë të Komisionit Europian, kryesisht me ata që mbulojnë ecurinë e 5 prioriteteve kyçe të Shqipërisë në rrugën e saj drejt çeljes së negociatave për anëtarësim, pas marrjes së statusit kandidat gjatë vitit të kaluar.

Gjosha u takua fillimisht me zonjën Michela Matuella, drejtoreshë për Politikat e Fqinjësisë dhe Zgjerimit për Shqipërinë dhe Bosnje-Hercegovinën, më pas me drejtorin për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Zgjerimit, Jean Eric Paquet, por edhe me ekspertë të tjerë të Komisionit Europian.

Gjatë këtyre takimeve është diskutuar mbi punën e bërë nga Shqipëria për 5 prioritetet, ndërsa përfaqësuesit e KE-së kanë vlerësuar zbatimin e masave dhe afateve të lëna në udhërrëfyes, ashtu sikurse edhe reformat e ndërmarra nga Shqipëria në kuadër të procesit të integrimit.

Mes të tjerave, ekspertët e KE-së kanë veçuar prioritetin e parë, krijimin e një administrate profesioniste dhe të depolitizuar, që sipas tyre ka pasur rezultate të prekshme mjaft pozitive, por puna për implementimin e mëtejshëm duhet të vazhdojë.

Përfaqësuesit e KE-së kanë vënë një theks të veçantë te domosdoshmëria e reformës në drejtësi, duke e cilësuar si kushtin kyç që do të çojë përpara procesin e integrimit të Shqipërisë. Gjithsesi, ministrja Gjosha ka shprehur angazhimin maksimal të qeverisë shqiptare, si dhe vullnetin për të bashkëpunuar me të gjithë aktorët, për ta përfunduar sa më shpejt këtë reformë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button