Politika

Integrimi/ Holanda: Shqipëria të trajtohet e ndarë nga Maqedonia, duhet të luftojë korrupsionin dhe krimin

Holanda kërkon që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të trajtohen të ndara sa i përket hapjes ose jo të negociatave me Bashkimin Evropian, vendim që pritet të merret më 15 tetor në Këshillin e Ministrave, për t’u zyrtarizuar në mbledhjen e Këshillit Evropian më 18 tetor.

Përmes një deklarate të Ministrisë së Jashtme holandeze, shpërndarë nga ambasada e saj në Tiranë, thuhet se Holanda ndjek në mënyrë kritike progresin në të dyja vendet dhe është e mendimit se Këshilli duhet të vlerësojë secilin vend sipas meritave të veta.

Në qëndrimin për Shqipërinë, Holanda thekson se duhet bërë më shumë punë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Keshilli ka parashtruar një sërë kriteresh për t’u përmbushur nga Shqipëria përpara hapjes së negociatave. Holanda e mirëpret punën e madhe dhe hapat e ndërmarra në vitin e fundit. Hollanda mendon se më shumë punë duhet bërë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Jashtme.

Por, në reagimin e Ministrisë së Jashtme holandeze nuk thuhet nëse Haga do ta bllokojë apo do t’i japë dritën jeshile hapjes së negociatave për Shqipërinë.

Ndërkohë, në qëndrimin për Maqedoninë e Veriut, Ministria e Jashtme e Holandës thekson:  “Vendet kandidate duhet të përmbushin kushtet strikte përpara se të bëjnë një hap tjetër në procesin e integrimit. Në Qershor 2018, Këshilli parashtroi një sërë kriteresh për t’u përmbushur nga Maqedonia e Veriut përpara hapjes së negociatave. Progresi i bërë është inkurajues. Gjithashtu, marrëveshja e Prespës është një shembull për rajonin. Vazhdimësia e rasteve të ndërmarra nga Prokuroria Speciale është siguruar me dorëzimin te Prokurori i Përgjithshëm. Një hap i rëndësishem që ende duhet të ndërmerret është miratimi i ligjit që garanton prokurorinë e pavarur në rastet e ardhshme të korrupsionit në nivelet e larta”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button