Integrimi në BE / 85% e bizneseve shqiptare rrezikojnë faliment, nëse nuk plotësojnë standardet
Shoqatat e bizneseve pohojnë njëzëri se procesi i integrimit të Shqipërisë në BE do të sjellë rritje të sigurisë ushqimore dhe formalizim tregu. Por njëkohësisht edhe mbyllje të bizneseve të papërgatitura. Shoqata e Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë vlerëson se nga sondazhet e para, vetëm 15% e bizneseve janë të përgatitura për në BE, ndërsa rreth 98% e tyre nuk kanë mundësi financiare për të përballuar vetë faturën e kostos së transformimit.
Nga retorika politike, çështja e integrimit europian ka nisur të hyjë në fazën e vlerësimeve për përmbushjen e kushteve të sigurisë. Të parët që duhet të kalojnë testimin janë 904 operatorë të produkteve ushqimore.
Me një listë detyrash në dorë, trupa e inspektorëve të Autoritetit Kombëtar Ushqimor (AKU) po troket derë më derë te çdo biznes për dhënien e vlerësimeve në përmbushje të standardeve që kërkon Bashkimi Europian (BE).
Teksa për bizneset nisi përballja me zgjidhjen e ushtrimit ekonomik më të vështirë të këtyre 30 viteve tranzicion. Pas vlerësimit të bërë nga AKU bizneset po klasifikohen në 4 kategorizime (nga Klasa I deri te Klasa IV). Procesi i vlerësimit do të përfundojë më 31 korrik 2026.
Në sektorin e përpunimit të qumështit, ndër të parët që po vlerësohen, frika e përpunuesve është përsëritja e modelit bullgar.
Gjatë procesit të anëtarësimit të Bullgarisë në BE, në vitet 2005-2009, rreth 60 deri në 70% e bizneseve të vogla të përpunimit të qumështit u mbyllën. Dalja e tyre nga tregu erdhi pasi nuk arritën të përshtaten me standardet e BE-së në fushat e sigurisë ushqimore, rinovimin e teknologjisë dhe për mjedisin.
Taulant Pupa, drejtues i kompanisë së përpunimit të qumështit “Vita 2001” mendon se modeli bullgar është referenca kryesore, për mënyrën se si do të ndërtohet procesi i integrimit në sektorin e qumështit në Shqipëri.
Ai pohon se problemi më i madh nuk është mungesa e standardeve te teknologjia e prodhimit apo gjurmueshmëria e mallrave të bulmetit, por te trajtimi i mbetjeve dhe i ujërave të ndotura brenda fabrikave dhe baxhove.
Pupa llogarit se kostoja për plotësimin e standardit mjedisor është e lartë, veçanërisht për baxhot dhe fabrikat e vogla, që do t’u kërkohet si investim i menjëhershëm dhe jo i zbatuar gradualisht ndër vite.
“Kostoja për vendosjen e një impianti që përpunon mbetjet e industrisë së qumështit në një baxho kushton rreth 80 mijë euro, ndërsa për një fabrikë të madhe, deri në 600 mijë euro. Për shumë biznese të vogla, këto investime janë praktikisht të papërballueshme. Një baxho nuk arrin t’i përballojë këto kosto.
Mendoj se këtu duhet të ndërhyjë shteti për investimet dhe të ndihmojë baxhot që punësojnë njerëz, që të mos mbyllen”.
AKU, vlerësime për sigurinë ushqimore, bizneset po kategorizohen në 4 Klasa
Për rreth 4 muaj, trupa e inspektorëve të Autoritetit Kombëtar Ushqimor (AKU) do të vlerësojë 904 operatorë ushqimorë për përmbushje të standardeve të sigurisë ushqimore sipas kërkesës së Bashkimit Europian.
Drejtoresha e Autoritetit Kombëtar Ushqimor, Blerina Gjylameti, në intervistën për “Monitor” shpjegon se vlerësimi ka nisur më 14 prill dhe deri tani ka përfunduar për 225 biznese.
“Procedura e vlerësimit dhe kategorizimit ka nisur më datë 14 prill dhe do të vazhdojë deri në datë 31 korrik 2026. Qëllimi i procesit të kategorizimit është identifikimi i stabilimenteve që janë në përputhje me kërkesat ligjore:
(Kategoria 1) – Stabilimentet që rezultojnë në përputhje të plotë me standardet e BE-së. (Kategoritë 2, 3 dhe 4) – Klasifikimi në nënkategori do të shërbejë për të përcaktuar nivelin dhe shkallën e mospërputhshmërisë. Nga ana tjetër, duhen llogaritur burimet dhe afati i nevojshëm për menaxhimin dhe korrigjimin e problematikave të konstatuara, si dhe procedurat që duhen ndjekur për zbatimin dhe monitorimin e procesit të përmirësimit.
Respektimi i kërkesave të sigurisë ushqimore, sipas legjislacionit në fuqi, është i detyrueshëm pavarësisht rezultatit të kategorizimit dhe në rastet kur konstatohet se një ushqim paraqet rrezik për shëndetin e konsumatorit, do të ndërmerren masa të menjëhershme, nga trupat vleresuese.
Në mënyrë të menjëhershme do të nisë procedura e inspektimit me qëllim ndalimin e hedhjes së produkteve të dëmshme në treg.
Kategoria 1: klasifikohen stabilimentet që ushtrojnë aktivitet në përputhje të plotë me kërkesat e BE-së.
Kategoria 2: klasifikohen stabilimente ku vihen re mospërputhshmëri të vogla që mund të zgjidhen gjatë një periudhe të shkurtër kohore (3-6 muaj).
Kategoria 3: klasifikohen stabilimente ku vihen re mospërputhshmëri të konsiderueshme (lidhur me planimetrinë, infrastrukturën e ndërtimit, të cilat kërkojnë punime ose rinovime të mëtejshme dhe burime financiare të konsiderueshme ose stabilimentet që janë dekategorizuar nga kategoria 2) që mund të përmirësohen për një periudhë kohore më të gjatë se ajo e kategorisë 2.
Për këto stabilimente do të përgatiten plane veprimi për korrigjimin e mospërputhjeve në një fazë të mëvonshme.
Kategoria 4: klasifikohen stabilimente ku vihen re mospërputhshmëri madhore dhe stabilimenti: përbën rrezik të konsiderueshëm për shëndetin; nuk duhet të hedhë produkte në treg; duhet të mbyllet sepse nuk është në përputhje me legjislacionin kombëtar; nuk mund të arrijë standardet e BE-së. Per kategorinë 4, AKU merr masa për mbylljen e stabilimentit”.
Gjylameti theksoi se krahas vlerësimit, inspektorët po japin edhe udhëzime të detajuara për përmirësimin e situatës, për rastet kur disa prej standardeve rezultojnë të paplotësuara. Afati maksimal i përmirësimeve është deri në një vit.
Në përfundim të procesit, ku edhe AKU do ta ketë më të qartë situatën për sigurinë ushqimore, pritet të hartohet Strategjia Kombëtare, ku sipas zonjës Gjylameti do të jetë për zgjidhjen e problemeve.
Vetëm 10–15% e bizneseve konsiderohen të përgatitura
Teksa Shqipëria ka hyrë drejt fazës konkrete të vlerësimit, Shoqata Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë (BPSH) dhe Këshilli i Agrobiznesit Shqiptar (KASH) ngrenë alarmin për nivelin e ulët të bizneseve shqiptare që kanë deklaruar se janë të përgatitura me standardet e BE-së.
Sekretari i përgjithshëm i BPSH-së, Arben Shkodra, shpjegon se që të mbijetojnë, për të gjithë operatorët do të jetë i detyrueshëm transformimi për përshtatjen e standardeve, përfshirë ato për sigurinë ushqimore, teknologjisë së prodhimit, sistemin e gjurmueshmërisë që zbatojnë, mbrojtjen e mjedisit, certifikimet e punësimit etj.
Por në këtë fazë, sipas tij, shumica e bizneseve nuk kanë as informacionin dhe as kapacitetet financiare për të realizuar transformimin që kërkon integrimi në BE.
“Bazuar në një analizë paraprake të bërë nga Ministria e Ekonomisë, sipas vetëdeklarimeve të bizneseve, rezulton se rreth 10 deri në 15% e tyre janë relativisht të përgatitur për të qenë pjesë e Bashkimit Europian.
Rezulton një kategori tjetër ku përfshihen kompanitë që kanë probleme, por të zgjidhshme. Dhe është një tjetër kategori, ku përfshihet numri më i madh i bizneseve që nuk përmbushin asnjë standard teknik për të qenë pjesë e tregut europian, por që edhe nuk kanë dijeni sesi do t’i plotësojnë”.
Shkodra thotë se nga procesi i parë i certifikimit, sektori më i goditur do të jetë përpunimi industrial ushqimor.
Fatura e kostos
Pikëpyetjet e para në lidhje me përballimin ose jo të kostove dalin nga analizat e shoqatave të bizneseve.
Për Shoqatën e Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë, sipas Arben Shkodrës, problemi më i madh vjen nga mënyra si është ndërtuar struktura e ekonomisë shqiptare, e dominuar nga bizneset e vogla që automatikisht rrisin shkallën e pamundësisë financiare për përballimin e kostove.
“Duke parë strukturën e ndërmarrjeve në vend, ku 99% e kompanive janë mikrondërmarrje, 1 deri në 2% janë kompani të vogla dhe të mesme, 98% e biznesit nuk kanë mundësi reale monetare dhe kapacitete për të bërë transformimin, me qëllim arritjen e konkurrueshmërisë dhe mbijetesën në treg”, deklaron ai.
Në zonën e Juglindjes, nga vlerësimet e AKU, deri tani janë mbyllur 3 baxho. Sipas burimeve nga tregu, baxhot e mbyllura vepronin në kushte primitive./ Marrë me shkurtime nga Monitor.al
/tvklan.al




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.