Kosova

Ministri i Diasporës Murati takim me nxënësit shqiptarë nga Suedia

Ministri i Diasporës, Valon Murati priti sot në një takim rreth 25 nxënës nga Suedia, që do qëndrojnë për një vizitë disa ditore në Kosovë dhe Shqipëri.

Kjo vizitë është një ndër projektet më atraktive për nxënësit shqiptarë në diasporë, që Ministria e Diasporës i organizon në Kosovë dhe Shqipëri, tashmë tradicionalisht për çdo vit me moton “të njohim Atdheun”.

Gjatë takimit ministri Murati fillimisht i njohu nxënësit me figurat më të ndritura të diasporës shqiptare, fotografitë e të cilëve janë vendosur në ambientet e ministrisë duke filluar nga Elena Gjika, Fan Noli, Jeronim De Rada, Nëna Terezë e deri tek Luan Krasniqi, Rita Ora e Lorik Cana, figura për të cilat edhe nxënësit vizitorë kishin njohuri mjaft të mira.

“Unë dua të falënderoj shtetin suedez për përkushtimin dhe integrimin e mësimit të gjuhës shqipe në sistemin arsimor të vendit, pasi ruajtja e identitetit kulturor dhe historik fillon me njohjen e gjuhës amtare. Po ashtu shfrytëzoj rastin të falënderoj edhe mësimdhënësit për punën e tyre të palodhshme, si dhe arsimtarët suedezë në shkollat përkatëse për mbështetjen që japin”, tha ministri Murati.

Murati njoftoi edhe për marrëveshjet e Kosovës dhe Shqipërisë për avancimin e mësimit të gjuhës shqipe në diasporë, si dhe për procesin e regjistrit të diasporës dhe mërgatës, duke kërkuar që këto mesazhe të përcillen edhe tek prindërit, bashkatdhetarët tanë.

Në vizitë, përveç mësuesve të gjuhës shqipe, po qëndrojnë edhe mësues suedezë, të cilët janë impresionuar me bukuritë natyrore dhe historinë e Kosovës dhe Shqipërisë, duke falënderuar Ministrinë e Diasporës për angazhimin dhe mundësimin e realizimit të këtyre vizitave.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button