Ekonomia

Interesi amerikan për investime të reja në Shqipëri, i vakët

Për drejtuesit e Dhomave të huaja të Tregtisë dhe Shoqatave të Biznesit është e domosdoshme që të përmirësohet klima e të bërit biznes në vend, për të tërhequr si investime të huaja, ashtu dhe për të nxitur investimet e brendshme.

Për drejtorin ekzekutiv të Dhomës Amerikane të Tregtisë dhe Industrisë, Lorenc Gjoni, Shqipëria ka disavantazh me vendet e rajonit, si për nivelin e taksave ashtu dhe për mungesën e stimujve. Elementë të tjerë, ku duhet punuar janë funksionimi i sistemit ligjor, mbrojtja e së drejtës së pronës, nevoja për qartësi dhe qëndrueshmëri në sistemin fiskal, si dhe një strategji e qartë dhe e mbështetur në studime konkrete sektoriale për zhvillim dhe thithjen e Investimeve të Huaja Direkte. “Në Shqipëri ka shumë pak kompani amerikane, por nuk mund të themi se ka një numër të madh kompanish amerikane që po interesohen për të kryer investime të reja në vend. Pak a shumë, kjo është marrëdhënia e Shqipërisë me investitorët amerikanë në këto momente”, pohon drejtorit ekzekutiv të Dhomës Amerikane të Tregtisë dhe Industrisë, Lorenc Gjoni. Në një intervistë për “Monitor”, ai pohoi se Shqipëria ka humbur konkurrueshmërinë rajonale me taksat, ndërsa cenimi i sigurisë juridike, të drejtat mbi pronën dhe problemet me korrupsionin janë pengesë për investimet e huaja në Shqipëri.

Gjoni thotë se: “jatë vitit të fundit, nuk kemi dëgjuar për kompani të reja amerikane që po mendojnë të investojnë në Shqipëri. Një nga kompanitë e pranishme në Shqipëri, NCH Capital, ka shtuar investimin, duke blerë një bankë të cilën e transformoi në një bankë të re, Banka Amerikane e Investimeve, por nuk mund të themi se ka një numër të madh kompanish amerikane që po interesohen për të kryer investime të reja në Shqipëri”.

Geri Selenica nga Qendra Shqiptare për Studime Strategjike thotë se niveli i ulët i investimeve lidhet me disa faktorë si  klima e keqe e biznesit e krijuar nga qeveria shqiptare (arsye subjektive); mungesa e potencialeve për investime serioze në Shqipëri (arsye objektive) dhe kriza ekonomike botërore, që po hyn në vitin e tetë (arsye globale).

Altin Furtuna, sekretar i Dhomës Turke të Tregtisë pohon se investimet e huaja në Shqipëri pengohen nga mungesa e projekteve fizibël mbi produktet konkrete, së dyti transparenca dhe se fundmi e ngathtësia e autoriteteve në vendimmarrje, pasi për korporatat koha është investimi më i madh.

Nikollaq Neranxi nga Shoqata për Mbrojtjen e Tregtarëve  thotë se ulja e taksave dhe e tatimeve, komunikimi i vazhdueshëm me biznesin për të kuptuar nevojat tona, investimi në infrastrukturë, ulja e çmimit të energjisë elektrike, ulja e çmimit të karburantit dhe rritja e cilësisë së tij, mund të krijonin pak frymëmarrje për këtë ekonomi të asfiksuar.

 

 

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button