Interpelancë- Kapri ngre pyetje për investimet strategjike, Hoxha: Shqipëria kryeson në Ballkan për fondet e BE-së
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, u përball në Kuvend me pyetjet e deputetit të opozitës Erald Kapri gjatë një interpelance ku në fokus ishin procesi i integrimit evropian dhe deklaratat e kryeministrit Edi Rama mbi çështjen e “Zvërnecit”.
Kapri ngriti shqetësime lidhur me dy ligje që, sipas tij, Bashkimi Evropian ka kërkuar të shfuqizohen, ligjin për investimet strategjike dhe ndryshimet në ligjin për zonat e mbrojtura.
“Duhet të mbani përgjegjësi për çfarë ndodh dhe të mbani përgjegjësi. Po ngre tre çështje: e para me dy ligjet kontraverse që BE ka kërkuar shfuqizimin e tyre, investimet strategjike dhe ligji i 2004 për zonat e mbrojtura. I keni dhënë garanci BE që ligji që pasuroi elitën e qeverisë tuaj do ta shfuqizoni brenda këtij viti. Kur do vijë kërkesa në parlament që të shfuqizohet ky ligj? Pse nuk e sillni? Po ashtu edhe ligjin për zonat e mbrojtura. Kjo lidhet edhe me çështjen e pronave”, tha ai.
Deputeti i opozitës u ndal edhe te protestat për çështjen e pronave, duke kritikuar qëndrimin e kryeministrit Edi Rama ndaj protestë. Ai kërkoi gjithashtu sqarime për deklaratat e Ramës në një intervistë për CNN, ku kryeministri foli për një “luftë hibride” dhe për sulme nga armiq të jashtëm ndaj Shqipërisë.
“Kryeministri paralajmëroi se siguria kombëtare është cenuar nga armiq të jashtëm. Na jepni llogari, nga cili vend jemi sulmuar? Italia, Greqia, Turqia, Spanja, Franca apo Kroacia? Kush është vendi që na paska sulmuar dhe qenka kaq xheloz ndaj Shqipërisë?”, deklaroi Kapri.
Në përgjigjen e tij, ministri Hoxha theksoi se çështjet e ngritura nga deputeti nuk lidhen drejtpërdrejt me kompetencat e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme.
Megjithatë, ministri u ndal te Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, duke e cilësuar atë si një nga proceset më të rëndësishme në marrëdhëniet e Shqipërisë me BE-në. Sipas Hoxhës, Shqipëria renditet e para në rajon për cilësinë dhe koherencën e Agjendës Kombëtare të Reformave, numrin e masave të realizuara dhe fondet e përfituara nga Bashkimi Evropian.
Sipas të dhënave të paraqitura nga Hoxha, Shqipëria ka realizuar deri tani 33 hapa reformues, kundrejt 32 të Malit të Zi dhe 22 të Maqedonisë së Veriut. Ndërkohë, fondet totale të përfituara nga Shqipëria në kuadër të këtij instrumenti kanë arritur në 212.8 milionë euro, krahasuar me 89.3 milionë euro për Malin e Zi dhe 142.1 milionë euro për Maqedoninë e Veriut.
“Asnjë nga pyetjet nuk ka lidhje me Ministrinë e Jashtme. Nuk e kuptova se çfarë pyetjesh kishit për Ministrinë e Jashtme sepse nuk merret me pronat, nuk propozon asnjë nga ligjet që përmendët. Ministria që unë drejtor nuk merret me planin e rritjes. Megjithatë në respekt të kërkesës suaj, po ju përgjigjem. Plani i rritjes është një prej proceseve më të rëndësishëm dhe përmbajtësor në marrëdhëniet tona me BE. Është shumë ambicioz dhe i konceptuar për të përshpejtuar konvergjencën ekonomike të Ballkanit Perëndimor me BE.
Shqipëria renditet e para në Ballkanin Perëndimor për cilësinë dhe koherencën e Agjendës Kombëtare të Reformave, përqindjen e hapave të realizuar dhe nivelin e fondeve të disbursuara. Ky është një tregues i seriozitetit institucional por edhe i kapacitetit për të menaxhuar instrumente komplekse evropiane. Rezultatet e Shqipërisë janë më të mirat në rajon. Ky nuk është vlerësimi ynë, është vlerësim i Komisionit Evropian. Dhe këto janë më të mirat në tre aspekte: në cilësinë dhe koherencën e Agjendës Kombëtare të Reformave; përqindjen ose numrin e masave të realizuara deri tani; dhe nivelin e fondeve, shumën e disbursuar që kemi marrë në kuadër të paketës financiare.
Ky është një tregues i seriozitetit institucional por edhe i kapacitetit që ka administrata publike shqiptare, institucionet shqiptare, për të menaxhuar instrumente komplekse evropiane. Vetëm dy javë më parë, më 20 maj 2026, Komisioni Evropian vuri në dispozicion 49 milionë euro për Shqipërinë. Kjo është kërkesa e tretë për pagesë dhe është pjesë e vlerësimit pozitiv të Komisionit për hapat e reformave të zbatuara në fushat e konkurrueshmërisë së biznesit dhe inovacionit. Në total, deri më tani, Shqipëria ka realizuar 33 hapa, Mali i Zi 32, Maqedonia e Veriut 22. Pas këtij disbursimi të fundit që është bërë në maj, shuma totale e disbursuar në kuadër të këtij instrumenti, arrin në 212.8 milionë euro për Shqipërinë, 89.3 milionë euro për Malin e Zi dhe 142.1 milionë euro për Maqedoninë e Veriut. Po flas për vendet që janë të përfshira me të njëjtën filozofi, me të njëjtën paketë”, theksoi Ministri.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.