Intervista ekskluzive/ “Toni”: Nipat e Doshit më thanë se nuk dyshojnë te unë si atentator i deputetit. Policia më bëri presion pasi më qëlluan
Personi që akuzohet nga Tom Doshi si porositësi i vrasjes së dy deputetëve, Fation Skënderi, tregon lidhjet e tij me personat që përmenden në videon e Durim Bamit.
Ne nje interviste ekskluyive dhene për gazetën “Panorama”, Fation Skënderi shprehet se nuk ka asnjë njohje as me Doshin, me Kryemadhin, Metën, apo me prokurorin e Krimeve të Rënda.Sorry, there are no polls available at the moment.
Duke treguar per personat që e implikojnë në çështjen “Doshi”, ai thote se historia ka sjellë shumë shqetësime në familjen e tij.
Ai gjen lidhje mes atentatit që i bënë me 6 plumba dhe videos së Durim Bamit që e paraqet atë si porositës të vrasjes së dy deputetëve, Doshi dhe Fufi.
Ju jeni përmendur te videoja e Durim Bamit, por edhe te intervista e deputetit Tom Doshi si porositësi i atentatit ndaj tij. Fillimisht, çfarë lidhje keni ju me deputetin Doshi?
Me Tom Doshin nuk kam asnjë njohje, nuk e kam takuar kurrë. Me sa mbaj mend unë, në 1997 frekuentonim një lokal të përbashkët në Tiranë, që quhej “VIP”. Nipat e tij i kam njohur si fytyrë, por kurrë nuk jam ulur me ta që të bisedojmë dhe të rrimë. Nuk kam asnjë marrëdhënie biznesi, nuk më lidh absolutisht asgjë me të.
Po me Durim Bamin, i cili ju përmend në videon e tij, keni njohje?
Po, kam njohje. Në 2005 kam qenë i dënuar dhe e kam njohur te vendi i dënimit, siç kam njohur dhe shumë të tjerë. Kam pasur njohje, të themi, por jo miqësi apo shoqëri. Asnjëherë nuk ka hyrë te rrethi i miqve. Pas dënimit e kam takuar herë pas here, në mënyrë rastësore për ndonjë servis makine që ka pasur nevojë. Mund të jem takuar rastësisht në rrugë ose ndonjë lokal, jemi përshëndetur, por jo shoqëri.
Si e morët vesh këtë histori ku ju ishit të përfshirë?
E kam marrë vesh përmes mediave.
Ndërkohë ju ishit në Gjermani kur e morët vesh?
Unë në Gjermani kam ikur në datën 8 shtator 2014, sepse kisha lënë takim për një vizitë mjekësore për bashkëshorten time, e cila ende ndiqet nga mjeku i specializuar. Parashikoja që të kthehesha pas 2 javësh nga Gjermania, sapo të përfundonte trajtimi mjekësor i saj. Ndërkohë, marr vesh nga miku im Ymer Lala, i cili më merr në telefon dhe më kërkon që të më takojë urgjentisht. Vjen Ymeri në Gjermani dhe më thotë: “më ka thirrur Tom Doshi në telefon dhe më ka thënë se Fationi është pjesë e një grupi që kërkon të më vrasë mua”. Në moment u shokova, sepse isha në Gjermani për një problem shumë serioz shëndetësor dhe dëgjoja histori të çuditshme. I shqetësuar fillova të vras mendjen se përse lakohet emri im për gjëra dhe njerëz që s’kam pasur asnjëherë të bëj, as në jetë dhe as në biznes. Mendja më shkoi tek atentati që më kishin bërë pak kohë më parë.
Si ka qenë historia me atentatin tuaj, si i shpëtuat atij?
Unë zakonisht pija kafen e pasdites në lokalin tim, rreth orës 7 dhe kthehesha në shtëpi rreth orës 10 e gjysmë të darkës. Rrugës për në shtëpi, te rrethrrotullimi i “Casa Italia” më parakalon një makinë me shpejtësi dhe dëgjova vetëm breshëri automatiku që erdhi nga kjo makinë, por nuk mora vesh gjë. Gjashtë plumba hynë në makinën time, në xhamin e automjetit nga krahu ku isha unë, pjesa tjetër u zbraz në hapësirë dhe prekën dhe një godinë ku u dëmtuan rreth 20 kompjutera që kishte brenda. Këtë ngjarje unë e mora për momentin si gabim objektivi, mos kanë ngatërruar makinën time me ndonjë tjetër.
Kur ndodhi ngjarja?
Ngjarja ka ndodhur në datën 1 shtator, ndërsa unë kisha prerë biletën për të ikur më 8 shtator për në Gjermani.
Ju e denoncuat këtë atentat në polici?
Unë nuk vajta në polici, por erdhi policia pas 2-3 ditësh. Unë u tregova i gatshëm të deponoja mbi sulmin që më ishte bërë. Në fakt, unë nuk doja të merrte përmasa mediatike, për shkak se familjarët e mi do të tronditeshin shumë nga kjo dhe në një periudhë të vështirë shëndetësore. Në fakt, edhe mediat nuk u morën shumë me këtë ngjarje. Pas 3-4 ditësh më thirrën, vajta në komisariat, çova dhe makinën, të cilën nuk e kisha prekur fare me dorë që nga dita e atentatit. U bënë këqyrjet dhe pyetjet e nevojshme. Por më bëri përshtypje një gjë. Pas 3-4 ditësh mbërrin policia në biznesin tim me dy furgona, bënë kontroll të imtësishëm banese, më shoqëruan dhe më morën përsëri në pyetje, jo vetëm mua, por edhe njerëzit e mi të afërt, djalin, kushërinjtë e mi që ishin këtu. I shoqëruan në Drejtorinë e Policisë. Në Drejtorinë e Policisë kishte një klimë presioni të madh ndaj meje. M’u duk vetja sikur unë isha atentatori dhe jo personi që ishte goditur me 6 plumba. Një presion shumë i madh në polici. Më mbajtën gjithë natën aty.
Çfarë konkluzioni patën këto hetime?
Jo vetëm nuk pati përfundime të hetimeve, por ata më bënin presion që unë të tregoj se me kë kisha armiqësi, se ndryshe do të më fusnin brenda. Unë i thashë që nuk kam probleme dhe hesape me askënd, as personalisht, as në biznes dhe as ndonjë borxh financiar. Ndërkohë, unë pashë tek ata një presion shumë të madh që të më penalizonin mua nga kjo ngjarje. U shokova nga policia për këtë sjellje të saj.
Pas kësaj ju u larguat në Gjermani?
Po, kam ikur në Gjermani dhe më pas mora vesh se emri im kishte dalë si organizator i vrasjes së Tom Doshit. Këtë vetë Toma ia ka shprehur mikut tim Ymer Lala, duke pasur dyshime të forta tek unë. Ai i tha Ymerit që kam folur me ministrin Tahiri që të organizojmë një ballafaqim me Tonin dhe ta sqarojmë këtë punë. Madje, unë i thashë Ymerit që t’i transmetonte Tomës gatishmërinë time për t’u ballafaquar me burrëri me këdo që ai mendon se më implikon mua në këtë gjë.
A u bë ndonjëherë ky takim ballafaqimi?
Jo, asnjëherë. Madje, unë mora nipin e tij në telefon dhe i kërkova ta takoja, duke i thënë se kam dëgjuar disa fjalë të dala nga Toma që më implikon mua në një grup që kërkon ta vrasë atë. Po, më tha nipi i Tomës, por ne nuk dyshojmë te ti, ne të kemi mik. Ti hajde kur të duash në Shqipëri, më tha ai. Por unë i thashë se s’mund të vija në Shqipëri që të më ngarkohej një akuzë e rreme, se unë do të kisha ballë për ballë shtetin në ato momente, që ishte Tom Doshi, që nga njëra anë sulmonte dhe nga ana tjetër denonconte.
Ka pasur urdhër ndalimi për ju kur keni ikur në Gjermani?
Jo, nuk ka pasur urdhër ndalimi kur unë jam larguar për në Gjermani.