Intervistë ekskluzive / Visar Zhiti: Nuk i besoj humbjes, as ikjes, ruaj gjithë të shtrenjtën brenda vetes
Intervistë me poetin Visar Zhiti, i dënuar i regjimit komunist për poezitë e tij, shkrimtar, punoi dhe si diplomat, u zgjodh dhe deputet, ishte dhe ministër i kulturës, por vazhdimisht poet, e tregojnë dhe përgjigjet e tij, në të cilat përshkon pak a shumë nga biografia e tij, me përvojën dhe urtësinë e tij prej krijuesi në një betejë të ashpër për jetën dhe atdheun…Sot ai jeton në Chicago, SHBA nga ku i morem dhe këtë intervistë.
Intervistoi: Dritan Dragusha
Visar Zhiti është shkrimtar, poet, gazetar dhe përkthyes, diplomat shqiptar. I lindur në Durrës, Zhiti rritet në Lushnjë, ku përfundon shkollën e mesme në vitin 1970. Studimet në Institutin e Lartë Pedagogjik në Shkodër i mbaron më 1974, për të nisur mësimdhënien në Kukës. Më 1973 përgatiti për përmbledhje, “Rapsodia e jetës së trëndafilave”. Dorëshkrimi i përmbledhjes, i dorëzuar për botim në shtëpinë botuese “Naim Frashëri”, konsiderohet si një krijim me gabime të rënda ideologjike dhe që nxinte realitetin socialist. Arrestohet më datë 8 nëntor 1979 në Kukës. Dënohet në prill të vitit 1980 me dhjetë vjet burg dhe heqjen e drejtës së botimit dhe asaj elektorale; dërgohet në burgun e Tiranës dhe më pas vonë në burgjet e tmerrshme të Spaçit dhe të Qafë-Barit . Lirohet më 1987, pa asnjë të drejtë, as të profesionit si mësue. Fillon të punojë punetor në një fabrikë të prodhimit të tullave në Lushnjë. Është me të parët në lëvizjen për demoktratizimin e vendit dhe nis pun;e si gazetar ne gazetën e pare opozitare “RD”. Mbas rënies së diktaturës, më 1991, shkon të kryehë specializime dhe master, së pari në Itali. Më 1993 shkon në Gjermani pasi ka marrë bursë studimi nga Fondacioni Heinrich Boll. Më 1994 shkon në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kthehet në Shqipëri për të vazhduar punën si gazetar dhe emërohet kreu i ndërmarrjes botuese, e cila dikur e kishte denoncuar dhe nga i erdhi dënimi I rëndë. Më 1996 zgjidhet deputet. Më 1997 emërohet ministër këshilltar në ambasadën shqiptare në Romë, ku qëndroi deri në vitin 1999. Në vitin 2013 emërohet minister i kulturës. Më pas, në 2015 do të jetë kreu i ambasadës Shqipërisë në Vatikan dhe e mbyll karrierën diplomatike në Washington DC, në SHBA.
Libri i tij i parë me poezi, “Kujtesa e ajrit” u botua në Tiranë në vitin 1993, i cili përfshinte disa poezi nga burgu. “Hedh një kafkë te këmbët tuaja”, me poezitë e burgut, u botua vitin e ardhshëm, ndërsa në Shkup del përmbledhja “Mbjellja e vetëtimave” . Vëllime të shumta pasuan, duke u botuar dhe në Prishtinë, përmbledhja “Si është Kosova”, po edhe romani i njohur “Funerali i pafundmë”, i botuar dhe në Itali e Rumani, etj, I pasuar nga romanet “Perëndia mbrapsht dhe e dashura”. dhe “Në kohën e britmës”, po kështu dhe vepra madhore romanore dhe memuaristike “Rrugët e ferrit”, I porsa botuar dhe në Itali dhe “Ferri i çare”. Zhiti është dhe autor librash me tregime dhe për fëmijë, ese, studime si “Kartela te Realizmit të Dënuar” etj. Ai njihet si një prej shkrimtarëve të mëdhenj shqiptare bashkëkohorë. Merret dhe me përkthime të poezisë, ka sjellë në shqip poetë si spanjollin Federico Garcia Lorka, italianët Mario Luzi, Sebastiano Grasso, poetët siriano-francez Adonis dhe rusin Evgeni Jevtushenko, etj. Edhe vepra e Visar Zhitit është përkthyer dhe në gjuhë të tjera të mëdha dhe në të gjitha gjuhë e Ballkanit. Ai i ka marrë të gjitha çmimet e larta letrare që jepen në Shqipëri, edhe në Kosovë, shum:e çmime letrare ka marrë ne Itali si “Leopardo d’oro”, “Ada Negri”, “Mario Luzi”, atë të karrierës si dhe në vende të tjera. Emri i tij është dhe në enciklopedi të huaja.
Gazeta Express: Z. Zhiti, thuhet se fëmija është shpirti i njeriut filozof apo i njeriut artist. Nëse kjo është kështu, atëherë çfarë i ndodh një poeti kur brenda vetës nuk e ndien, apo nuk e përjeton më fëmijën?
Visar Zhiti: Thuhet dhe që fëminia është atdheu i poetit, i artistit, e ç’nuk thuhet për fëmininë, ajo është një pasuri e madhe për këdo, është zanafilla për të gjithë dhe mbetet ashtu e ëndërrt, e magjishme. Në fëmininë e vetvetes fillohet. Sa më shumë të kesh fëmijën së brendshmi, aq më shumë ke dashuri dhe ëndërr, pafajësi dhe paqe, kërshëri dhe virtyte, etj, etj. M’u nëpërmendën menjëherë tani që po flasim, një poet dhe një shkencëtar, të dy të përbotshëm.
J. V. Gëte në një elegji të tijën shkruan, po sjell dy vargje me përkthimin tim:
Ti, kushdo qofsh, prej teje fryftë fëmijëri,
Atëhere ty s’të mposht dot asnjeri
Kurse shkencëtari A. Ajnashtajni shpjegon se “unë nuk bëra gjë tjetër, veçse pyeta si fëmijë dhe u përgjigja si burrë.” Ja, pra fëmija, mbrojtje dhe zbulesë
GE: A mund të përthekohen vuajtjet e një individi apo një shoqërie nëpërmes poezisë?
VZh: Pse jo? Poezia është e njeriut, e jetës së tij. Poezinë unë e shoh dhe si ditar shpirtëror, gjendje të një individi dhe të një kohe, ecja e përbashkët e tyre, dhimbja dhe dashuria dhe drama. Si e tillë ajo bëhet dhe është e të gjithëve, e një fati dhe e një shoqërie, nuk i përket vetëm lumturisë, por edhe vuajtjes duke u bërë dhe vetë lumturi. Dante është poet i botës se nuk ka vetëm “Parajsën”, por dhe “Purgatorin”, aq më shumë dhe “Ferrin”.
Siç e thatë dhe ju, siç mbartim fëmijën brenda vetes, mbartim dhe poezinë si shpëtimtare. Më lejoni të marr shembull veten, se e kam më të lehtë dhe jam më i sigurt. Unë munda t’i qëndroj burgut si njeri, mundësisht si poet, falë poezisë, e cila më ndihmoi dhe më pas të përballem me fatkobin tim, të jem siç do të donin ata që më duan. Isha i dënuar po për poezinë me 10 vjet heqje lire dhe vazhdova ta shkruaj fshehurazi dhe na burg. Shpikëm lirinë tonë dhe lexuesin tonë, mbi të gjitha emocionin poetik, të ndaluara të gjitha këto.
Së fundmi unë i nxora të gjitha poezitë e mia të burgut edhe në një botim anastatik, tani nga enti “Onufri”, “Dorëshkrimet e fshehta të burgut”, copa letrash nga fletoret e rrjepura. Edhe fatkeqësisë time i kam dhënë poezinë time, e ato më dhanë poezinë hyjnore. Aty janë përthekuar vuajtjet tona dhimbjet, aty është atdheu im qiellor.
GE: A e duron mllefin poezia?
VZh: I duron të gjitha. Por të gjitha nga dashuria.
GE: Çka do të thotë të rrëfesh?
Për mua do të thotë dhe besim te njeriu. Por ti heq nga vetvetja ato që s’duhen dhe shton nga më e mira edhe me anë të rrëfimit. Ti zbrazesh, shpalos ndjesi, jep përvojë, rrëfen fuqinë tënde, dobësitë njerëzore, shqetësimet, mëkatet, frikën, dëshirat, ç’dëshiron të bësh, ku ke arritur, etj, i ndan me dikë a me të tjerë, qoftë dhe me veten, pra, i nëpërmend, është si një gjyq yti, por dhe si parlament i brendshëm, dënon dhe vlerëson. Ngrihesh dhe pasurohesh.
Që në lashtësi janë krijuar tempuj rrëfimi, gjë që vazhdon edhe sot, do të rrëfehet njeriu me fjalën, me ngjyrat, me muzikën, me teatrin, me gjuhën e trupit, balet e arkitekturë, me gjithë kujtesën njerëzore, historinë, veprat janë rrëfim ynë, ku, sipas meje libri mbetet ndoshta më i magjishmi. Një nga titujt e mi të një përmbledhje me poezi, të botuar në Itali, është: “Rrëfim pa altare” (Confessione senza altari). Rrëfimi është dhe lidhje e drejtpërdrejtë me Krijuesin, me Zotin. Institucioni i rrëfimit e ka bërë botën më të mirë.
GE: A është rrëfyer sa duhet në lidhje me atë se çfarë shqiptari i ka bërë vetvetes përgjatë komunizmit apo edhe në këtë pikë kemi rrëfyer me hile?
VZh: Nuk është rrëfyer pak. Po edhe shumë është heshtur. Pyetja juaj më duket me rëndësi si ato tabelat që tregojnë rrugën e përbashkët. Komunizmi ishte një dramë e rëndë e njerëzimit, shqiptari nuk e shpiku atë, ra brenda saj dhe e vuajti ndoshta më keq se vendet e tjera të perandorisë komuniste. Sa më shumë të fshehim dhe të mbrojmë nga e keqja, aq më shumë ajo do na rikthehet dhe do të na sulmojë, kjo dihet dhe thuhet shpesh. Rëndësi ka se ç’bëjmë.
Guxoj të përsëdyt atë që thatë ju, ka vërtet hile në rrëfim, jo nga ata që e pësuan vuajtjen, por nga ata që e shkaktuan, vuajtje fizike, shpirtërore e mendore, të njerëzve dhe atdheut. Ka nga ata që kanë “rrëfyer me hile” shkrimtarë, historianë, mësues, gjyqtarë, politikanë, deputetë, etj, deri lart, edhe presidentë të vendit. Sepse nuk janë çliruar nga vetvetja e tyre në shërbim të së keqes, nga që u bënë pjesë e saj, nuk shkëputen dot, as e përballojnë dot dhe parapëlqejnë “gjumin e përbindëshit” dhe u duket se kështu edhe mbrohen më mirë, se ndryshe nuk do të ishin aq shkrimtar sa i bëri regjimi, po kështu dhe për historianë, mësues, gjyqtarë, politikanë, deputetë, etj, deri lart, edhe presidentë të vendit. Por e ardhmja i takon të vërtetës, zbulesës së saj, themelimit të saj. Jemi sepse është e vërteta jonë.
GE: Çka ndikon te një fëmijë, te një adoleshent apo edhe te një shoqëri fakti që kur e kupton se ke lindur me damkën e të dënuarit, siç ju ka ndodhur Juve?
VZh.: Unë nuk besoj se lind ndokush me damkën e të dënuarit. Ne lindim të lirë, të barabartë me të gjithë, do të thosha, përsa i përket ajrit që thithim, dritës së diellit që marrim, begative të botës, gëzimeve të jetës dhe lirive të saj. Pavarësisht se kjo prishet apo racionohet dhe s’marrim atë që na takon, etj, etj. Edhe unë kështu linda dhe më dënuan, kur u rrita. Jo se kisha “damkën e të dënuarit”, por sepse kisha “damkën e poezisë”, mund të thuhet. Unë meritoja si çdo njeri, por nuk ishin dhe aq njerëz ata që vendosin mbi ne. Ishte një kohë, thënë shkurt, antipoezi, pra antinjeri. Fati, mund të thotë shumëkush, që ndryshon shumëçka. Po. Por në fakt janë sistemet e dobëta përsa i përket anës njerëzore, po, po dhe ndaj poezisë, shoqëritë e mangëta, të mbyllura, diktaturat, regjimet totalitare që kanë nevojë të dënojnë, ndryshe s’ekzistojnë dot. Dhe duhet kuptuar se kur dënon tjetrin, ke dënuar veten më parë, madje dhe më shumë.
Ju kuptoj ç’donit të thoshit. Historia dhe realitetet e tanishme kanë shumë alienim, gjendje kafkiane, ku njeriu ndihet i dënuar, madje i fajshëm pa bërë asgjë, ato shkaktojnë trauma të rënda, komplekse, frikë, ankthe dhe krime, mizori, luftëra, shkatërrime, sundim të së keqes dhe ai, fëmija që është brenda gjithkujt, ndjehet i pambrojtur, i pa dashur, rritet keq.
Hë për hë duhet terapi dashurie. Që të mos zgjatem, duhet poezi. Sa më shumë poezi në jetë, aq më shumë jetë në poezi, kam shkruar në librin tim “Thesaret e frikës”. Ndjesë që po e citoj veten, kam mirëkuptimin tuaj, shikojeni si një credo timen, por dhe pjesë të rrëfimit, për të cilin folëm.
GE: Z. Zhiti, ju jeni nga ata të pakët (në mos i vetmi) në Shqipëri që u dënuat për shkak të poezisë?
VZh.: Ka ndodhur dhe me të tjerë bashkëvuajtës, që krahas fajeve, armiqësive për të cilat i ka akuzuar dhe dënuar regjimi me burg, deri edhe me pushkatim, për sabotim kundër socializmit, tentativa për arratisje jashtë vendit, se nenet e Kodit Penal e trajtonin si tradhti, etj, për agjitacion dhe propagandë kundër partisë në pushtet, shtetit apo sundimtarëve, etj, mbas të gjitha këtyreve t’u ketë shtuar dhe poezinë si faj, si argument shtesë, por në rastin tim është ashtu siç thoni dhe ju, nuk kisha asnjë akuze tjetër veçse poezive të mia si antirealizëm socialist.
Të bën përshtypje serioziteti i mynxyrshëm deri edhe tragjik se si shikohej apo gjykohej poezia dhe poeti. Ai reagim që ka frikë nga poezia dhe dënon poetë është i mallkuar… Por dhe koha që nxjerr nga vëmendja poezinë dhe poetët, që i nëpërkëmb është prapë e mallkuar…
Ndërkaq unë jam dhe ndër te paktit që dënova me poezinë time ata që dënonin edhe për poezi.
GE: Çka i ndodh poezisë kur ajo shkruhet nën altar?
VZh: Bëhet më e altartë, është dhe lutje Hyut, merr shenjtëri më shumë.
GE: Në mes të djeshmes së errët dhe të sotshmes së mjegulluar ku qëndron shqiptari?
VZh: Në të ardhmen sa më normalë, sa më të mirë, në atë të ëndërruarën, që s’është vetëm pritshmëri e largësi, por së pari është brenda njeriut (kupto: edhe shqiptarit) si thelb, si konkretësi njerëzore, që është përkushtim dhe punë dhe sakrificë, etj. Errësira e djeshme dhe mjegulla e sotme na detyrojnë prirjen te drita dhe qartësia, njohjen më mirë të vetvetes dhe të të tjerëve, që janë vetvete të tjera.
Ku qëndron shqiptari? Pyetje e fortë. Mes amanetit të etërve dhe premtimit ndaj fëmijëve, në një të tashme më e mirë se e djeshmja, prapë të vështirë, jo ashtu siç do të duhej të ishim, jo se nuk jemi punëtorë, por edhe të zhgënjyer, më të sigurt jemi, kreativë, por dhe groteskë, më shumë kemi qenë, të shfrytëzuar dhe fitimtarë, të madhërishëm dhe martirë dhe të mënjanuar, të goditur, me superioritetin që s’kemi goditur askënd si bashkësi, parakë, rrënjës, në fund të fundit në familjen tonë të natyrshme evropiane, me absurdin që ajo s’na i ka hapur derën plotësisht, kur të gjitha kështjellat tona kanë qenë ngritur në mbrojte të saj, të Perëndimit.
GE: Çka do të thotë për Ju humbja?
VZh: Për të qenë i saktë, kërkova në një nga Fjalorët e Gjuhës Shqipe, pashë aty si përkufizohej humbja:
“- Ajo çka humbim, – shkruhej, – dëmi që pësojmë në një luftë, në një lojë, etj, pjesë e këtij demi: antonim: fitim, fitore…
– vdekja e një njeriu të afërm, fatkeqësi…
– vend i largët dhe i humbur, humbëtirë…
Në fund sugjeronte që të shikohej dhe folja humb, etj, etj.”
Pashë që për mua nuk mjaftonin. I kam të gjitha ato, por humbja sipas meje është diçka më tjetër, por edhe ndryshe. Humbja mund të mos jetë humbje ashtu si fitorja mund të mos jetë fitore. Mund të humbësh dhe je fitimtar ndër kohë ashtu si fitimtarët mund të jenë dhe humbësit më të mëdhenj. Fiton në humbje, humb në fitore. Shqipëria e di më së miri këtë. Është çliruar Shqipëria dhe nuk janë çliruar shqiptarët. Me fitimtarët u vendos diktatura dhe humbëm Kosovën, Çamërinë dhe troje të tjera, humbëm dhe Evropën. Me të humburit tanë pamë se ishte e ardhmja e tanishme, Shqipëria Euroatlantike, etj, etj.
Për të qenë më afër pyetjes tuaj, humbje për mua është humbja e vetvetes, asgjë tjetër, Ne jemi krijesa që kemi krijues… Të zbulojmë vetveten e lashtë dhe ta çojmë vetveten në ardhmëri.
GE: A ka diçka që mund ta zëvendësojë humbjen, qoftë të një poezie, një libri, një jete të tërë në burg apo edhe vetë jetën e njeriut?
VZh: Po, ka shumë gjëra që nuk kthehen më dhe asgjë s’bëhet siç mund të ketë qenë. Unë i kam pësuar të gjitha humbjet që përmendni ju, poezi, libër, jetë. Nuk ka zëvendësime, por aftësi dhe forcë dhe frymë të shenjtë për të ruajtur brenda vetes gjithçka të shtrenjtë, aty është dhe rron e gjitha. Vetvetja si universi.
GE: Pse është kaq e vështirë që shqiptarët të mësohen ta duan Lirinë?
VZh: Pyetja juaj, sipas meje, është liri, pjesë e saj, të mosmësuarit është kthyer në të mësuarit, dyshimi është dhe siguri.
Shqiptarët fati i farkëtoi që më shumë të jenë mjeshtër të mbijetesës se sa të jetesës, duke kaluar shekuj të shumtë nën pushtim dhe pavarësia e Shqipërisë është arritur relativisht vonë në krahasim dhe me vendet përreth, të cilët e kanë fituar lirinë dhe me ndihmën e shqiptarëve, ndërsa ne e kemi paguar shumë shtrenjtë për vete, duke mos e patur atë ndihmë nga vendet përreth, për të mos thënë të kundërtën, duke na copëzuar, të detyruar të bëjmë një jetë askete, shkëmbore, të vështirë, duke kaluar për rrjedhojë, së fundmi dhe në absurdin e pushtimit të rëndë nga vetvetja.
Kështu mbase u projektuam, duke përftuar një konstrukt të tillë shpirtëror dhe mental. Fati ynë – më ballkaniku. Në mundimet ekzistenciale për të qenë të lirë, kur s’ishim dot të lirë vërtet, duke e dashur lirinë më shumë se sa duke e patur. Liria e brendshme te shqiptarët është e fortë, kryeneçe, parake, e kthyer në bindje dhe mosnënshtrim, në ashpërsi dhe krenari, etj, etj, por dhe duke i kuptuar të tjerët me vonesë, ndoshta dhe nga që erdhën më vonë pranë nesh, të parëve tanë, duke keqkuptuar veten deri në marrëzi. I vetëm s’mund të jesh i lirë. Në Ballkan është e vështirë jo vetëm për shqiptarët, por për të gjithë. Shpresoj të dilet, në mos kemi dalë nga mosbesimi i madh. Dy shtetet shqiptare në Ballkan, në trojet e tyre kudo ku janë pranë kufirit me dheun amë, me një diasporë të mrekullueshme nëpër botë, sidomos me arbëreshët në Itali dhe me shqiptarët e pasur në Amerikë, në SHBA-në, mbështetësi jetik i kombit shqiptar dhe aleat strategjik, do të dimë ta duam lirinë tonë, ta mbrojmë lirinë si pjesë qenësore e identitetit dhe e demokracisë.
Si një përpjekje kësisoj shikojeni dhe bisedën time, si mësim dashurie vetes për lirinë.
GE: Ju sot jetoni në SHBA, në Çikago. Pse zgjodhët ikjen? Dhe e fundit, ç’po shkruani?
Unë nuk kam ikur, jam mbartur me time shoqe, Edën, në një shtëpi tjetër, si të thuash, por pasi i mbarova të gjitha punët, detyrat dhe detyrimet me shtetin e vendit tim, punove me përkushtim, korrektesë e dashuri. Lirinë time erdhi koha ta përdor si të dua unë. Arsyet e ikjes janë te miat, të brendshme, çështje të dhimbjes dhe të lirisë, të kërshërisë që s’na ndahet si prej fëmije, etj, dhe që të jem i sinqertë me ju deri në fund, ika dhe për shkak të qetësisë, të jem sa më larg atij revanshi të së kaluarës dhe korrupsionit galopant oligarkik, të mosmirënjohjes dhe shpifjeve e sharjeve që nga rruga dhe deri në institucione e lidershipi, lart te presidenti i vendit, jo që ai shahet, por që dhe ai sit ë shumtët shpf dhe shan, politika i nxjerr në krye nga radhët e diktaturës dhe që kërkojnë të bëjnë dhe demokracinë; ky është mashtrimi i madh. Por ikja ime nuk është ikje nga gjuha, shqipja jonë është e librave të mi dhe ajo do të mbetet, letërsia ime është e gjitha letërsi shqipe, unë nuk kam ikur nga lexuesi im, as nga shokët dhe miqtë, m’u desh të largohem, e di qe kam lenë shqiparë të mrekullueshëm, por kam gjetur dhe këtej të tillë, së bashku të bëjmë më të mirën. Unë kam mbaruar një roman, është me shqetësime të tanishme, me bashkime kohësh, fatesh dhe brezash. Shpresoj ta botoj së shpejti, së pari në atdhe. Atdheun e mbartim gjithmonë me vete. Përjetësisht.