Investimet online, kumari i ri i shqiptarëve?
Bursat e tregtimit online, edhe pse një investim me risk të lartë, arritën një vlerë tregu gjatë vitit të kaluar në rreth 1 milionë dollarë nëpërmjet 250 investitorëve. Lajmi bëhet i ditur nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), i cili sqaron se kjo xhiro është realizuar vetëm nga dy shoqëritë e licensuara të brokerimit.
Aksioner International me licencë nga Autoriteti i Mbikqyrjes Financiare dhe Stock International Albania me licencë nga Autoriteti i Mbikqyrjes Financiare.
Por ndërkohë në tregun shqiptar ka të paktën 10 subjekte të identifikuara që ofrojnë aktivitetin në mënyrë informale. AMF sqaron se, investimi nëpërmjet platformave të tregtimit online përbën një risi në tregun shqiptar. Por duke vlerësuar rrezikun që mbartin këto platforma , Autoriteti po synon rregullimin e veprimtarisë së subjekteve të licensuara.
Autoriteti sapo ka rritur nivelin e bashkëpunimit me institucionet e huaja për shkëmbimin e informacionit.
Tani kur interesi real i depozitave në banka është në vlera negative, individët gjithnjë e më shumë po joshen nga forma të reja investimesh jo shumë të sigurta.
Shumë biznese dhe qytetarë po shohin bursat matanë vendit, si një mundësi për të shtuar vlerat e kursimeve të tyre, teksa pesimizmi për zhvillimet ekonomike në vend i ka larguar ata nga konsumi dhe investimet, duke nxitur edhe më tej prirjet për kursim.
Kompanitë që ndërmjetësojnë investimet në bursa dy vitet e fundit janë shtuar shumë. Duke ofruar produkte krejt të panjohura për shqiptarët me kulturë financiare që lë për të dëshiruar, shoqëritë e brokerimit me leje dhe pa leje me një treg ende të pazyrtarizuar dhe të parregulluar po ofrojnë në merimangën e tyre të marketingut qindra qytetarë, të cilët nuk janë të qartë ku po investojnë kursimet e tyre.
Kjo tendencë për të kanalizuar kursimet në forma të reja investimi vjen në një moment të papërshtatshëm, pasi tregu ndërkombëtar i kapitaleve është ndërlikuar nga ulja e çmimeve dhe paraqet më shumë risk se sa fitim.
Duke e parë investimin në bursë vetëm si fitim dhe jo si risk, shumë individë janë përfshirë në skemat e reja të ndërmjetësimit pa qenë të ndërgjegjshëm për atë që i pret.
Shoqëritë e brokerimit që po ndërmjetësojnë investimin e depozitave të shqiptarëve në bursa janë shtuar shumë, por vetëm tre të tilla kanë leje, Aksioner insternational Securites Brokerage sha., Stock international Albania dhe Platinium Investment që ka marrë licencë si institucion financiar jo bankë nga Banka e Shqipërisë dhe dy të parat kanë marrë leje nga AMF, si shoqëri brokerimi në tituj për blerjen dhe shitjen e titujve me porosi të klientit në tregun e licencuar në territorin e Republikës së Shqipërisë.
Por ndërsa vetëm tri kompani janë të licencuara, dhjetëra të tjera e kryejnë këtë shërbim pa asnjë autorizim të autoriteteve shqiptare. Risku i investimit në këto lloj skemash është 100% dhe për humbjen askush nuk mban përgjegjësi.
Këto forma investimi në botën e zhvilluar janë shumë të njohura, por tregjet e tyre të kapitaleve janë të zhvilluara, të mbikëqyrura dhe të rregulluara.