Irani kundër IS – Armiku i armikut tim?
Lufta kundër IS nuk është e vetmja gjë që lidh Perëndimin dhe Iranin. Të përbashkëtat me Perëndimin janë një kapital politik i lënë pas dore. Do të ishte diçka e zgjuar që ai të shfrytëzohej, mendon Matthias von Hein.
“Armiku i armikut tim është miku im”. Kjo është një nga doktrinat e politikës reale. Pra sipas saj Irani duhej të ishte në fakt në listën e të ftuarve kur në Bruksel përfaqësues të rreth 60 shteteve me ftesë të SHBA të diskutojnë për qendrimin e ardhshëm kundër “shtetit islamik” (IS). Pasi edhe Irani lufton kundër IS. Mesa duket madje me avionë lufte. SHBA kanë konfirmuar njoftime përkatëse në shtyp, ndërsa Irani i ka përgënjeshtruar ato. Edhe vetëm kjo tregon se në rërën lëvizëze të Lindjes së Mesme nuk është aq e lehtë sa sugjeron motoja e politikës reale. Atje armiku i armikut tim, shumë shpejt mund të jetë edhe armik i mikut tim.
Në rastin konkret, Irani vërtet ka të njëjtin armik të përbashkët me SHBA, me Perëndimin dhe me gjithë bashkësisë e shteteve, IS-in. Por Irani është edhe armiku i aleatëve të SHBA, Izrelit dhe Arabisë Saudite. Në të njëjtën kohë Irani është miku i armikut. Konkretish: Bashar al-Assadit, qe me ndihmën ruse e para së gjithash iraniane, vazhdon të qendrojë në pushtet megjithë luftën civile në vend që prej dy vjetësh. Dhe: nganjëherë shtetet dikur mike bëhen armike. Avionët me të cilët Irani thuhet se ka sulmuar pozicionet e IS, janë prodhime amerikane: F4-fantazëm iu livrua Iranit kur qeveriste ende Shahu, një mik i SHBA.
Irani çimenton ndikimin në Irak
Shumë flet për atë që Irani vërtet ka përdorur avionë për luftimin e milicisë xhihadiste. Prej vitesh Irani punon për shtimin e influencës së tij në Irak. Dhe gardat e revolucionit disponojnë një njësi speciale për misione jashtë vendit, brigadat Al Kuds. Shefi i tyre u fotografua jo më vonë se verën e kaluar në Irak. Shkaqet për angazhimin iranian janë të qarta. Përparimi i IS kërcënon ndikimin iranian në Irak. Veç kësaj milicia xhihadiste sunite kërcënon me shkatërrimin e vendeve të shenjta të shiitëve. Për Iranin e dominuar nga shiitët ky është një vizion i tmerrshëm. Pas pushtimit nga IS në qershor të qytetit të dytë më të madh irakian Mosul, u deshën dy muaj derisa SHBA u erdhi në ndihmë me sulme ajrore aleatëve të saj në Irak. Iranianët nuk u vonuan kaq shumë. Armët dhe këshilltarët ushtarakë të livruar shumë shpejt nga Irani, çimentuan në momentet e nevojës influencën e Teheranit në rajon.
Irani nuk mund të anashkalohet
Presidenti i SHBA Barack Obama e ka kuptuar se në Lindjen e Mesme Irani nuk mund të anashkalohet – përballë vatrave të shumta të zjarrit në rajon, stabilitetit relativ të Iranit dhe ndikimit të Iranit tek fqinjët e tij. Në mes të tetorit Obama për këtë arsye i shkroi letrën e katërt tashmë, udhëheqësit më të lartë të Iranit, Ajatohallah Khamenei. Në letër Obama siguronte se sulmet ajrore të SHBA nuk synonin as dobësimin e pozicionit të Iranit në rajon, dhe as goditjen e aleatit të Iranit, Assadit. Dhe: Obama fliste edhe për mundësinë e një bashkëpunimi në luftën kundër IS.
Por kjo kishte si kusht një marrëveshje në zënkën për programin bërthamor të Iranit. Kjo marrëveshje për fat të keq nuk u arrit në fund të nëntorit. Bllokadat në politikën e brendshme në Uashington dhe Iran, ishin shumë të mëdha. Konservatorë, përkrahësit të linjës së ashpër në Teheran kundërshtojnë çdo lloj lëshimi ndaj SHBA. Nga ana tjetër përkrahësit e linjës së ashpër në SHBA dhe tek aleatët e saj në Izrael dhe Arabinë Saudite, duan ta shohin edhe më tej Iranin si një shtet të dorës së dytë të izoluar, i cili kërcënon paqen botërore.
Ish studentë nga SHBA në kabinetin e Iranit
Dhe kështu aktualisht zhvillohen paralelisht dy fushata ushtarake kundër “shtetit islamik”, një e drejtuar nga Irani dhe një nga SHBA dhe aleatët e saj. Të dy palët i japin dukshëm rëndësi të madhe konstatimit se mes tyre nuk ka asnjë bashkëpunim apo marrëveshje. Por mund të supozohet se prapra kulisave qeveria në Bagdad ndërmjetëson mes palëve. Ata ende nuk kanë bërë asgjë për të penguar njëri-tjetrin në fushat irakiane të betejës. Kjo megjithatë nuk mjafton.
Lindja e Mesme është shumë e rëndësishme dhe shumë e paqendrueshme që aktorët më të rëndësishëm t’i lejojnë vetes të mos flasin mes tyre. Ka ardhur koha që Irani të lëvizë dhe t’u tregojë kufirin përfaqësuesve të linjë së ashpër fondamentalistë. Për këtë nevojitet ndërhyrja e udhëheqësit më të lartë Khamenei, i cili megjithatë nuk tregon asnjë gatishmëri për të ndryshuar qëndrim. Nga ana tjetër në qeveri marrin pjesë edhe njerëz të cilët nuk e shohin SHBA si “djallin e madh”. Për ironi të historisë shtatë ministra iranianë kanë studiuar në universitete elitare në SHBA. Në asnjë kabinet në botë, me përjashtim të vetë SHBA nuk ka kaq shumë ministra që kanë studiuar në SHBA.