Irani, SHBA synon marrëveshje “imune” ndaj vetos ruso-kineze në OKB
Uashingtoni dëshiron ta bëjë të qartë, që çfarëdo marrëveshje bërthamore të nënshkruhet mes Iranit dhe fuqive të mëdha botërore, të përfshijë mundësinë e rikthimit të sanksioneve amerikane nëse Teherani e shkel marrëveshjen, pa rrezikuar vetot e Rusisë dhe Kinës, bëri të ditur një zyrtar i lartë amerikan gjatë së martës.
Sanksionet e Kombeve të Bashkuara dhe një mekanizëm i ardhshëm për Iranin, në mënyrë që të blejë teknologji atomike, janë dy prej pikave më në ngërç të bisedimeve mbi një marrëveshje të mundshme bërthamore, për të cilën Teherani dhe fuqitë botërore kanë vuajtur shumë të tejkalojnë ndasitë e thella gjatë ditëve të fundit.
Negociatorët mbyllën javën e parë të bisedimeve në Nju Jork këtë të martë, në atë që konsiderohet si raundi i fundit i bisedimeve 18-mujore, që synojnë të arrijnë nënshkrimin e një marrëveshjeje afatgjatë deri më 30 qershor, për të ndalur programin bërthamor të Iranit në këmbim të lehtësimit të sanksioneve ndërkombëtare. Negociatat në nivel ekspertësh pritet të vazhdojnë edhe për disa ditë.
Bisedimet aktuale kanë ndodhur përpara një konference mbi Traktatin e Mospërhapjes së Bërthamoreve. Ndërsa negociatat mes Iranit, SHBA-ve, Britanisë, Francës, Gjermanisë, Rusisë, Kinës dhe Bashkimit Europian do të rifillojnë në Vjenë gjatë javës së ardhshme.
Diskutimet e fundit janë zhvilluar në lidhje me një rezolutë të ardhshme të Këshillit të Sigurisë, që do të miratojë marrëveshjen e re dhe do t’i bëjë të pavlefshme të gjitha rezolutat sanksionuese të së kaluarës, ndërkohë që do të ruajë ende ndalimin që i imponon OKB-ja për raketat balistike, ashtu sikurse embargon e armëve dhe disa kufizime të tjera.
SHBA-të dhe negociatorët europianë kërkojnë që çdo lehtësim i sanksioneve të OKB-së të bëhet automatikisht i kthyeshëm, të quajtur si “kthim pas”, nëse Teherani do të dështojë të përmbushë kushtet e marrëveshjes së mundshme. Rusia dhe Kina, siç ka treguar e kaluara, tradicionalisht nuk i preferojnë këto lloj masash automatike. Por “kthimi automatik pas” është kyç për qeveritë e Perëndimit, të cilët i frikësohen faktit se do të jetë e vështirë t’i rikthesh sanksionet më pas, për shkak të vetos që mund të vendosin Rusia dhe Kina.