Irani thërret ambasadorin e Norvegjisë për Starlink-un: akuzon SHBA-në dhe Izraelin për “shfrytëzim” të internetit satelitor
Irani ka thirrur ambasadorin e Norvegjisë në Teheran për të protestuar ndaj asaj që e quan “mosveprimi i vazhdueshëm” i Oslos lidhur me operimet “të paautorizuara” të internetit satelitor Starlink brenda territorit iranian, siç njofton Al Jazeera në liveblog-un e saj për luftën në Iran, duke cituar televizionin shtetëror Press TV.
Mohammad Hassannejad Pirkoohi, drejtor i përgjithshëm në Ministrinë e Jashtme iraniane, e thirri të dielën ambasadorin Paal Bjornestad për t’i dorëzuar një notë zyrtare proteste. Gjatë takimit, Pirkoohi akuzoi SHBA-në dhe Izraelin se po “shfrytëzojnë” sistematikisht Starlink-un — rrjetin satelitor në pronësi të kompanisë SpaceX të miliarderit amerikan Elon Musk — “për të avancuar agjenda ndërhyrëse” kundër Iranit.
Sipas Teheranit, Norvegjia ka dështuar të përmbushë detyrimet e saj ligjore si shteti regjistrues i shërbimeve Starlink në Unionin Ndërkombëtar të Telekomunikacionit (ITU) të OKB-së. “Bazuar në vendimet e Bordit të Rregulloreve të Radios (RRB) të ITU-së në vitet e fundit, qeveria norvegjeze është e detyruar të marrë masat e nevojshme për të parandaluar transmetimet e paautorizuara të Starlink-ut brenda territorit të Iranit”, tha zyrtari iranian.
Ai shtoi se Norvegjia ka injoruar kërkesat e përsëritura iraniane “për të ndaluar aktivitetet që cenojnë sigurinë kombëtare dhe sovranitetin territorial të Iranit”. Çështja hap një front të ri diplomatik në luftën SHBA–Iran, ku interneti satelitor shihet nga Teherani si mjet për të anashkaluar kontrollin shtetëror të komunikimeve gjatë konfliktit.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.