Ish Presidenti Trump i gatshëm të vendosë një garanci financiare prej 100 milionë dollarësh për apelimin e gjobës në Nju Jork
Avokatët e ish presidentit Donald Trump i thanë një gjykate të nivelit të dytë në Nju Jork se ai është i gatshëm të caktojë 100 milionë dollarë si garanci financiare për të ndalur ekzekutimin e gjobës së rëndë të dhënë në kuadrin e një procesi gjyqësor civil, duke argumentuar se kushtet e vendosura nga vendimi e bëjnë të pamundur për ish presidentin që të sigurojë një garanci për vlerën e plotë të gjobës.
Avokatët e zotit Trump e paraqitën ofertën në dokumentet e paraqitura në gjykatën e nivelit të dytë, duke kërkuar lëshimin e një urdhri që do t’ia ndalonte zyrës së prokurores Letitia James ekzekutimin e vendimit për gjobën prej 454 milionë dollarësh, deri në përfundim të procesit të apelimit. Për të ndalur vjeljen automatike të gjobës, zoti Trump do të duhej të caktonte një garanci financiare të barazvlershme me gjobën.
Gjykata e niveli të dytë pritej ta shqyrtonte kërkesën gjatë një seance të jashtëzakonshme të mërkurën.
Avokatët e zotit Trump thonë se vendimi i gjykatësit Arthur Engoron i dhënë më 16 shkurt, ia ndalon zotit Trump, kompanisë së tij, dhe të bashkëakuzuarve të tjerë marrjen e kredive nga bankat e Nju Jorkut për tre vjet, duke ua pamundësuar kështu sigurimin e një garancie financiare që do të mbulonte të gjithë shumën e gjobës. Në total, zoti Trump dhe të akuzuarit e tjerë duhet të paguajnë mbi 465 milionë dollarë.
Ish presidenti Trump ka afat deri më 25 mars për të siguruar urdhrin nga gjykata që do të ndalte vjeljen e gjobës deri në përfundimin e procesit të apelit. Ekzekutimi i gjobës ndalet automatikisht nëse ai do të vendoste garanci financiare të mjaftueshme.
Avokatët thonë se pasuritë e tij të mëdha në formë të patundshme dhe mbikëqyrja ndaj tyre e vendosur nga gjykatësi Engoron, si dhe ndaj kompanisë, nga një monitorues i pavarur, do të mjaftonin për të siguruar një vendim në favor të zotit Trump. Avokatët thonë se garancia prej 100 milionë dollarësh “do të shërbente thjesht si siguri e mëtejshme”.
Zoti Trump, që është edhe kandidati kryesor republikan për president, ka thënë se vlera e tij është në disa miliarda dollarë dhe vitin e kaluar dëshmoi se ka rreth 400 milionë dollarë para të gatshme, krahas pronave dhe investimeve të tjera.
Në total, nga vendimi i gjykatësit Engoron dhe dy procese të tjera civile të vitit të kaluar, zoti Trump duhet të paguajë të paktën 543.4 milionë dollarë.
Në janar, një juri gjyqësore urdhëroi zotin Trump t’i paguante 83.3 milionë dollarë shkrimtares E. Jean Carroll për shpifje ndaj saj, pasi ajo e kishte paditur në vitin 2019 se ai e pati sulmuar seksualisht në një dyqan veshjesh në Manhatan në vitet 1990. Gjatë një tjetër procesi gjyqësor vitin e kaluar, zonjës Carroll iu dha nga juria gjyqësore një shumë dëmshpërblimi prej 5 milionë dollarësh.