Maqedonia

Ish-shefi i shërbimit sekret maqedonas, në Beograd me armë e municione

Ish-shefi i shërbimeve sekrete maqedonase, Sasho Mijallkov, njëkohësisht i afërm i kryeministrit të Maqedonisë Nikolla Gruevski, kur u arrestua javën e kaluar në aeroportin e Beogradit kishte përveç një pistolete tip “Berreta” një palë dorezash kirurgjike dhe një kuti me municione.

Lajmin e bëjnë të ditur mediat serbe, raportimet e të cilave tregojnë se, Mijallkov nuk ka thënë të vërtetën para autoriteteve serbe, kur kishte deklaruar se pistoletën e kishte harruar rastësisht në çantën e dorës.

Mediat serbe, të cilat e cilësojnë Mijallkov si James Bondin e Maqedonisë, vijojnë raportimin duke shkruar se ai është lënë i lirë pas ndërhyrjes së fortë të qeverisë së Shkupit.

“Ministria e Punëve të Brendshme na u lut që Mijallkov të lirohej menjëherë, pa u marrë në pyetje dhe pa kontrolle shtesë. Kolegët serbë u treguan të gatshëm të pranonin këto kërkesa, por ndërhyri prokuroria, e cila nuk lejoi që Mijallkov të lirohej pa procedurat e parashikuara për raste të tilla”, ka deklaruar një burim për gazetën serbe “Alo”.

Ndërkohë, mbetet e paqartë se si ish-shefi i shërbimeve sekrete ka shmangur kontrollet në aeroportin e Shkupit, prej nga ka udhëtuar drejt Beogradit. Përfaqësues të kompanisë TAV, e cila menaxhon aeroportin “Aleksandri i Madh”, në një deklaratë për mediat kanë thënë se, “bëhet fjalë për një rast të izoluar dhe një gabim individual në zbatimin e procedurave të sigurisë” dhe se po vazhdon hetimi i brendshëm për këtë ngajrje.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button