Islanda dëbon familjen shqiptare. Argumenti “jemi komunistë” nuk bind
Në Islandë, një familje shqiptare së cilës iu mohua e drejta e azilit, është bërë çështja e ditës. Sipas kryefamiljarit, Hasan Telati, arsyeja e kërkesës për azil është prejardhja e tij komuniste dhe problemet që i lindën nga ky fakt në jetesën e tyre në vendlindje.
“Babai im ishte kryetari i Partisë Komuniste. Ne jemi të përjashtuar nga shoqëria. Kemi mosmarrëveshje në lidhje me shtëpinë tonë. Papritur, erdhi letra e një njeriu tjetër, një njeri me pushtet në vend, që na kërkoi shtëpinë. Dhe ne kishim mundësi vetëm të largoheshim. Na kërcënuan me vdekje nëse e shpiem çështjen më tej. Unë kam frikë për të ardhmen e fëmijëve të mi”, thotë Hasani.
Sipas mediave islandeze, tre javë më parë familja mori përgjigje negative në lidhje me qëndrimin e tyre në vendin nordik, një ngjarje që i hidhëroi, sidomos fëmijët, të cilët tanimë kanë krijuar një jetë të qetë dhe kanë zënë shoqëri në shkollat që frekuentojnë.
Laura është vajza e madhe e Hasanit dhe Alekës: “Unë nuk do të kthehem kurrë më në Shqipëri. Ndjehem shumë mirë këtu dhe shkolla më pëlqen. Unë dua të jetoj në Islandë sepse këtu kam edhe shumë miq”.
Departamenti i Emigracionit ka deklaruar se familjes nuk mund t’i jepet azil, pasi Shqipëria nuk konsiderohet më si vend i rrezikshëm.
Aleka Telati thotë: “Ne do të apelojmë, por na është thënë se ka pak shpresë. Plus që edhe ky proces përbën kosto për ne. Mund të duhen dy muaj për të marrë një vendim dhe gjatë kësaj kohe do të jemi kthyer në vendin tonë. Nuk ka gjasa që ne të ndërtojmë një jetë normale në vendin tonë”.
Por banorët e zonës, të cilët kanë përshtypje të mira për familjarët, kanë nënshkruar një peticion, ku deri më sot numërohen mbi 7600 firma, nëpërmjet të cilit kërkohet qëndrimi i mëtejshëm i familjes në vend. Pas mbledhjes së firmave, ai do u dërgohet autoriteteve lokale në mënyrë që t’i përshpejtojnë procedurat e apelit dhe ta ndihmojnë familjen shqiptare.
Familja flet bukur për Islandën dhe islandezët, shkruajnë mediat e atjeshme. Vetë familjarët pohojnë se fqinjët i kanë ndihmuar të mobilojnë shtëpinë dhe interesohen për çështjen e qëndrimit të tyre, sidomos javët e fundit.
I ftohti i Islandës nuk korrespondon me ngrohtësinë e banorëve të saj, shprehen familjarët.