ITALI – Dronët ndërpresin fluturimet në aeroportin e Gjenovës për dy orë
ROMË, 20 nëntor /ATSH-ANSA/ – Aeroporti “Cristoforo Colombo” i Gjenovës në Itali u mbyll për rreth dy orë mbrëmjen e djeshme, pas raportimeve për praninë e mundshme të dronëve pranë pistës së fluturimeve.
Alarmi u dha rreth orës 20:10, kur autoritetet vendosën ndalimin e përkohshëm të fluturimeve në hapësirën ajrore përreth aeroportit, për arsye sigurie.
Dronët dyshohet se janë parë në të dyja anët e pistës, në lindje dhe në perëndim të saj.
Sipas raportimeve të medieve italiane, kullës së kontrollit iu sinjalizua prania e disa mjeteve fluturuese pa pilot, të cilat nuk kishin autorizim për të fluturuar në atë zonë.
Disa raportime përmendin katër ose pesë dronë të mundshëm.
Për shkak të rrezikut që mund të paraqisnin për avionët gjatë ngritjes dhe uljes, autoritetet vendosën të pezullonin përkohësisht trafikun ajror dhe të kryenin kontrolle në zonën përreth pistës.
Mes fluturimeve të prekura ishte edhe një avion i kompanisë “ITA Airways”, i cili do të nisej drejt aeroportit “Roma Fiumicino”.
Avioni kishte mbetur në pistë në pritje të autorizimit për ngritje.
Për arsye sigurie, pasagjerët u zbritën përkohësisht nga avioni dhe u rikthyen në bord, pasi përfunduan kontrollet dhe u lejua rifillimi i fluturimeve.
Kufizimi i hapësirës ajrore u hoq pas orës 22:00, pas përfundimit të verifikimeve dhe marrjes së autorizimit nga ENAV, kompania italiane përgjegjëse për kontrollin dhe menaxhimin e trafikut ajror.
Pas kësaj, aeroporti rifilloi funksionimin normal.
Rasti ka ngritur shqetësime për sigurinë e aeroporteve, pasi fluturimi i dronëve pa autorizim pranë pistave, mund të rrezikojë avionët dhe pasagjerët, veçanërisht gjatë ngritjes dhe uljes. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.