Rajoni
Itali/ Koronavirusi shkakton viktimën e 29, infektohen mbi 1100 persona
March 1, 2020
0 2 minutes read
Italia ka kaluar pragun e një mijë të prekurve nga koronavirusi, një infeksion për shkak të të cilit, orët e fundit kanë humbur jetën edhe tetë persona të tjerë, duke e çuar në 29 totalin e viktimave.
Por për fat të mirë është shtuar edhe numri i personave të shëruar që sipas të dhënave të mbrojtjes civile është 50 pavarësisht se rajonet e vecanta flasin për një shifër më të lartë, 60 vetëm Milano. Shkollat ndërkohë mbeten të mbyllura në Emilia Romagna, lombardi dhe Veneto deri më tetë mars.
Përveç shkollave, mbeten të ndaluara edhe të gjitha manifestimet e organizuara dhe eventet në ambjente publike apo private, përfshirë ato me karakter kulturor, sportiv e fetar, si psh kinema, teatro, diskoteka etj. Po ashtu janë shtyrë edhe pesë ndeshje futbolli të serisë A, mes tyre edhe Juventus Inter. Ndërkohë që në zonat më të prekura, po konstatohet mungesë mjekësh dhe autoritetet po vlerësojnë mundësinë e rikthimit në punë të mjekëve dhe infermierëve të dalë në pension.
Ndërkohë shtetet e bashkuara të Amerikës kanë raportuar viktimën e parë të koronavirusit në vend, në shtetin e Uashingtonit. Zyrtarët thanë se pacienti ishte në të 50-tat dhe kishte probleme shëndetësore. Presidenti Donald Trump tha se kishte gjasa edhe për raste të tjera, por nënvizoi se vendi ishte i përgatitur për çdo situatë. Në total, në shba, janë regjistruar 62 raste koronavirusi deri më tani.
SHBA ka ndaluar hyrjen në vend të shtetasve që mund të kenë vizituar Iranin në 14 ditët e fundit ndërkohë që ka këshilluar amerikanët të mos vizitojnë vende si Italia apo Koreja e jugut. Amerikan Airlines ndërkohë ka pezulluar fluturimet drejt Milanos. Të dielën edhe Australia e Tajlanda regjistruan viktimat e para të koronavirusit.
Sipas OBSH, më shumë se 85 mijë raste koronavirusi janë raportuar në 57 shtete të botës dhe në rreth 3 mijë ka shkuar numri i viktimave. Pjesa më e madhe e infektimeve dhe viktimave në kinë, ku edhe virusi e ka origjinën.
Të dielën, 573 raste të reja u konfirmuan në kinë, rritja më e madhe ditore në një javë, duke e çuar totalin në 79824. 35 viktima ndërkohë janë konfirmuar në kinë, të gjitha, me përjashtim të njërës, në provincën Hubei. Koreja e jugut ka raportuar 376 raste të reja duke e çuar totalin në më shumë se 3500 ndërkohë Franca ka raportuar se mbi 100 vetë janë të prekur dhe dy pacientë kanë humbur jetën. Ekuadori, Katari dhe Armenia, janë bërë vendet më të fundit që kanë raportuar rastet e para të koronavirusit atje.