ITALI – Meloni: Shqipëria dhe Mali i Zi përparësia afatshkurtër e zgjerimit të BE-së
ROMË, 14 tetor /ATSH-ANSA/ – Prioriteti ynë në afat të shkurtër është të mbështesim fuqimisht përparimin e Shqipërisë dhe Malit të Zi drejt BE-së, pasi suksesi i tyre do të kishte një vlerë që shtrihet shumë përtej kufijve të tyre dhe tanë, deklaroi kryeministrja italiane, Giorgia Meloni në fjalimin e saj para Senatit, përpara mbajtjes së Këshillit Evropian.
“Këshilli Evropian do të zhvillojë gjithashtu një diskutim strategjik mbi procesin e zgjerimit dhe reformat e brendshme të Unionit. Kjo është një temë të cilës Italia i ka kushtuar gjithmonë rëndësi të madhe. Vetëm një Evropë e ribashkuar, e mbështetur nga një konsensus i fortë politik, mund të arrijë masën kritike të nevojshme për të mbetur konkurruese, me ndikim dhe e sigurt. Duke filluar me Ballkanin Perëndimor”, deklaroi Meloni.
“Natyrisht, çdo rrugë ka karakteristikat, afatet kohore dhe kushtet e veta. Por, perspektiva politike është e njëjtë: të konsolidohet përgjithmonë ankorimi evropian i kombeve që janë pjesë e historisë sonë. Ne mbështesim një zgjerim të bazuar në parimin e meritës dhe përgjegjësisë së ndërsjellë”, theksoi ajo.
Për Melonin, “vendet kandidate janë përgjegjëse për zbatimin e reformave të nevojshme dhe përshtatjen graduale me rregullat evropiane”.
”Megjithatë, Bashkimi Evropian duhet t’i njohë këto rezultate pa vonesë me përparim konkret. Dhe kjo është arsyeja pse prioriteti ynë në afat të shkurtër është të mbështesim fuqimisht përparimin e Malit të Zi dhe Shqipërisë. Suksesi i tyre do të kishte një vlerë që shtrihet shumë përtej kufijve të tyre dhe tanë. Do t’i tregonte të gjithë rajonit se procesi i pranimit është real, se reformat shpërblehen dhe se kur një vend kandidat bën pjesën e vet, Bashkimi Evropian është i aftë të bëjë të vetën”, deklaroi Meloni./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.