Italia, Giuseppe Conte, një profesor drejtësie për kryeministër
Edhe pse nuk është njoftuar hapur, mediet vendase përcjellin bindjen se shefi i ekzekutivit do të jetë Giuseppe Conte, profesor i së Drejtës Private në Universitetin e Firences, të cilin Di Maio e ka përmendur me kohë si njërin prej ministrave të mundshëm të tij, duke ia lakuar madje emrin që përpara zgjedhjeve.
Shtypi italian shkruan se, mes dy udhëheqësve ka ende mospërputhje, por në vija të përgjithshme, qeveria sipas tyre është zgjedhur.
Nëse Mattarella e pranon propozimin e Salvinit dhe Di Maios, kreu i Këshillit të Ministrave do të pritet më së pari prej presidentit, më pas do të vijë betimi i tij dhe anëtarëve të tjerë të kabinetit qeveritar, e në fund votëbesimi në Parlament, ku “Lega Nord” dhe “5 yjet” kanë shumicën, si në dhomën e ulët, ashtu dhe në Senat.
Salvini kishte këmbëngulur që kryeministër të mos ishte as ai dhe as Di Maio, ndonëse udhëheqësi i lëvizjes “antiestablishment” pati shpresuar shumë ta merrte ai këtë post.