Italia zë 37,7 % të vëllimit të import-eksporteve
Shkëmbimet tregtare me vendet e Bashkimit Europian zënë 65,3 % të të gjithë tregtisë, ndërsa partneri kryesor tregtar është Italia me 37,7 % të totalit.
Sipas statistikave zyrtare të Institutit të Statistikave, INSTAT, importet e mallrave nga Italia në Shqipëri, gjatë njëmbëdhjetëmujorit të vitit 2014 arritën në rreth 147.513 milionë lekë, kur në të njëjtën periudhë të një viti më parë u importuan 153,419 milionë lekë. Por ndryshe nga importet, eksportet nga Italia për këtë periudhë kanë shënuar rritje. Në vlerën e mallrave të importuara nga shteti fqinj, vendin kryesor e zënë grupi i mallrave ‘tekstile dhe këpucë,” në vlerën 31.661 milionë lekë, e pasuar nga mineralet, lëndë djegëse dhe energji elektrike në vlerën 25.912 milionë lekë dhe nga grupi makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi për industritë e reja dhe për rinovimin e atyre ekzistuese nga sipërmarrësit privatë shqiptarë, por dhe italianë që ushtrojnë aktivitet në Shqipëri.
Importi i kësaj kategorie arriti për këtë periudhë vlerën e 24.747 milionë lekëve, duke treguar interesin e lartë në rritje të biznesit për futjen në përdorim të makinerive cilësore, kryesisht për sektorët e industrisë tekstile, të materialeve të ndërtimit si dhe të prodhimit të produkteve agroindustriale. Ndërkohë eksportet shqiptare drejt Italisë, llogariten në vlerën e 123,372 milionë lekëve.
Në të njëjtën periudhë të një viti më parë eksportet nga Italia llogariteshin 103,005 milionë lekë. Në vlerën e mallrave të eksportuar drejt shtetit fqinj, vendin kryesor e zë grupi “tekstile dhe këpucë”. Eksporti i kësaj kategorie arriti për 11-mujorin vlerën e mbi 66,248 milionë lekëve.