Italiania Santanche një “tel me gjemba” i Bashkimit Europian?
Andrea Stefani
Vrasja e njerëzve që donin të kalonin kufirin ilegalisht ka qenë një nga krimet e rëndomta, thuajse “burokratike”, të diktaturave lindore komuniste. Nëse tentoje të kapërceje Murin e Berlinit për të kaluar nga pjesa lindore në atë perëndimore të Berlinit, të priste plumbi i kufitarit. Vdekja të priste edhe po të tentoje të kaloje telin me gjemba të kufirit të Rumanisë, Bullgarisë dhe aq më tepër, atë të vendit komunist më të izoluar në botë, Shqipërisë. Pas mbi dy dekada nga rënia e Murit të Berlinit, është më shumë se habi të dëgjosh që ekzistuaka ende kërcënimi me vdekje për ata që përpiqen të hyjnë ilegalisht në Europë, në “botën e lirë”. Por ja që kështu qenka! Dhe nuk është fjala për ujërat e Adriatikut apo të Mesdheut që prej vitesh përpijnë në thellësitë e tyre, kohë pas kohe, me dhjetëra a qindra emigrantë. Është fjala për një tel me gjemba apo një kufitar të tipit të ri, pa kallash dhe qen kufiri, që kërcënon me vdekje emigrantët ilegalë. Një tip kufitari që sot mishërohet nga deputetja Daniela Santache e “Forza Italia”.
***
E frustruar nga dyndjet e emigrantëve drejt Italisë, Santache ka deklaruar se Italia duhet të fundosë gomonet që bartin emigrantë ashtu sikundër bëri edhe me shqiptarët! “Më mirë një akt lufte sesa një luftë e humbur”, ka sqaruar Santache thirrjen e saj gjakatare të cilën e pagëzon “strategji vetëmbrojtëse”.
***
Pasi kemi dëgjuar këtë histeri, ne shqiptarëve na kujtohet menjëherë tragjedia e anijes “Katri i Radës” që më 28 mars 1997, u mbyt bashkë me 84 emigrantë, pasi u godit nga anija luftarake italiane “Sibila”. Edhe sot e kësaj dite ka mbetur një mister nëse “Katri i Radës” u godit aksidentalisht apo qëllimisht nga “Sibila”. Por deklarata e Santanche ringjall përsëri dyshimet për një akt kriminal pikërisht sipas një “strategjie vetëmbrojtëse” nga emigrantët. Ekzaktësisht si kjo që ajo propozon sot.
***
Po nga kush u dashka të mbrohet sot Europa deri edhe duke e vrarë, mbytur apo duke i shpallur luftë? Nga askush, por veçse nga turma njerëzish të shkretë që përpiqen t’i ikin varfërisë, kaosit apo tragjizmit të luftës civile në vendet e tyre. Shkurt duhet të mbrohet nga turma nënash, baballarësh, foshnjash, motrash e vëllezërish. Pikërisht këta duhet të vrasë që të realizojë “strategjinë vetëmbrojtëse” që sapo ka propozuar Santanche. Duhet vetëm pak empati për vuajtjen njerëzore që mos as ta çonte ndër mend këtë krim.
***
Nuk kemi fare ndër mend të themi se trafikimi i emigrantëve duhet toleruar. Por, gjithashtu, nuk na shkon fare ndër mend të mbështesim thirrje kriminale si kjo e deputetes Santanche që nuk arrin të kuptojë se të mbysësh varkat e emigrantëve, do të thotë të fundosësh vetë Europën, frymën e saj të lirisë dhe njeridashjes. Deklarata e Santanches është jo vetëm një turp, por edhe shumë alarmuese, sepse flet për krijimin në segmente të politikës italiane të një psikologjie paniku dhe urrejtjeje që përligj deri edhe krimin e vrasjes, duke e racionalizuar me “arsyen” e mbrojtjes së shtetit. Kjo ka qenë pikërisht psikologjia e nomenklaturave të diktaturave që legjitimonin si “shërbim ndaj Atdheut”, vrasjen e gjithkujt që tentonte të kalonte kufirin apo Murin e Berlinit.
***
Deklarata e deputetes së “Forza Italia” vjen në një kohë kur në Mesdhe sapo janë mbytur rreth 700 emigrantë dhe shumë të tjerë në detin Egje. Është e vërtetë, Italia dhe Europa ka vite që po përballen me një dyndje emigracioni. Por nuk ka fare vend për ankth, panik apo frikë. Aq më pak për urrejtje antihumane. Mbi të gjitha sepse, siç është provuar prej kohësh, emigrantët nuk kanë qenë vetëm një hall por, me krahun e lirë të punës që kanë ofruar, edhe një burim i madh përfitimesh për biznesin dhe krejt shoqërinë perëndimore. Ata kanë pjesën, kontributin e tyre ndërtimtar në atë që Europa është sot.
***
Reagime jo thjesht ksenofobe, por realisht kriminale si ky i Santanche, janë shprehje e një ankthi, frike dhe një ksenofobie të shtuar që i kanë rrënjët te kriza ekonomike dhe jo te fryma e Europës. Është një psikologji e traumatizuar (të frikëson fakti që ka depërtuar deri në kokë të politikës), që nuk arrin të kuptojë se pavarësisht krizës, ajo që po ndodh është rezultante e disa faktorëve. Më kryesorët janë: Së pari, natyra e Europës dhe e shteteve të saj si shoqëri të hapura. Dhe, së dyti, thellimi i pabarazisë ekonomike mes Perëndimit dhe pjesës tjetër të botës veçanërisht kontinenteve si Afrika apo rajoneve si Ballkani.
***
Europa, Italia, Gjermania, Franca apo Britania nuk mund të mbyllen, të izolohen nga bota pa tradhtuar edhe natyrën e tyre si shoqëri të hapura. Aq më pak mund të mendohet që këto shtete të kryejnë, në emër të një strategjie vetëmbrojtëse, krime si ato që propozon Santanche. Vetëm mendimi se shteti mund të shpëtohet duke vrarë të pafajshëm, të barazon me diktaturat nazifashiste e komuniste. Qenia e Europës një shoqëri e hapur dhe ekzistenca paralel me të, e një bote shumë më të varfër ekonomikisht, nuk mund të mos lindë fenomenin e enëve komunikuese ku nivelet e lëngjeve (në këtë rast nivelet ekonomike) tentojnë të barazohen. Është një dukuri që nuk mund të gjejë zgjidhje as me ksenofobi, as me vetizolim dhe aq më pak me kriminalitet. Por si? Dihet që Europës i duhet kohë të zgjidhë telashet e veta financiare. Atëherë si? Në pikëpamje afatgjatë Europa dhe krejt Perëndimi, duhet të zhvillojnë një strategji që të synojë zbutjen e diferencimit të thellë ekonomik mes rajoneve e kontinenteve të globit. Në afat shkurtër, mbetet vetëm zbatimi i legjislacionit europian duke mos dhunuar të drejtat e njeriut e aq më pak të drejtën për jetën. Europa duhet t’u japë përparësi për mbështetje emigrantëve që vijnë nga shtete (diktatura, luftëra civile) ku jeta e tyre është e kërcënuar. Për gjithë të tjerët duhet të zbatohet rreptësisht legjislacioni, që do të thotë, të kthehen mbrapsht në vendet e tyre. Por Europa nuk mund t’u marrë jetën, sikundër propozon Santanche, njerëzve që luftojnë për jetën. Qoftë edhe duke emigruar ilegalisht! Një krim i tillë do të qe vetëvrasje për Europën.