Iu gjet drogë në qeli, procedohet penalisht i burgosuri në Fier
Agjencia e Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale ka dalë me një njoftim zyrtar në lidhje me një sasi të dyshuar lënde narkotike, të gjetur dhe sekuestruar në burgun e Fierit ditën e martë.
Sipas njoftimit, më 17 nëntor 2026, AMSEVP, në bashkëpunim me Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale Fier, ka ushtruar një kontroll për sende të ndaluara, gjatë të cilit është konstatuar një sasi e dyshuar lënde narkotike e llojit cannabis sativa, e ndarë në katër porcione.
“Lënda e dyshuar narkotike është gjetur në dhomën e një të burgosuri me inicialet L. K.”, thuhet në njoftim.
Pas kryerjes së veprimeve të para procedurale, AMSEVP ka dërguar materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.
“I burgosuri do të procedohet penalisht në gjendje të lirë për veprat penale “Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve penale” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, të parashikuara nga nenet 324/a dhe 283/1 të Kodit Penal”, njofton Agjencia e Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.