IZRAEL – Netanyahu: Rrëzimi i udhëheqjes iraniane është objektivi ynë
TEL AVIV, 21 tetor /ATSH-DPA/ – Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, deklaroi sot se rrëzimi i udhëheqjes iraniane është një objektiv i qartë i forcave izraelite të sigurisë.
Gjatë një ceremonie diplomimi për oficerët, ai theksoi se kjo ishte e vetmja mënyrë për të eliminuar përgjithmonë kërcënimin që Irani paraqet për Izraelin.
“Ka vetëm një mënyrë për ta larguar këtë kërcënim një herë e përgjithmonë, rrëzimi i regjimit në Iran”, u shpreh Netanyahu, duke shtuar se kjo është direktiva e tij për Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF), shërbimin e zbulimit Mossad dhe strukturat e tjera të sigurisë.
Kreu i qeverisë izraelite akuzoi udhëheqjen iraniane se nuk ka nxjerrë mësime nga zhvillimet e mëparshme.
Ai iu referua gjithashtu udhëheqësit suprem të Iranit, Mojtaba Khamenei, duke pretenduar se Teherani po përpiqet sërish të zhvillojë armë bërthamore. Irani, nga ana e tij, ka mohuar vazhdimisht se synon të prodhojë armë të tilla.
Netanyahu deklaroi se presidenti amerikan, Donald Trump, mbështet qëndrimin e tij ndaj Iranit.
Sipas kryeministrit izraelit, Trump është i vendosur ta çojë përpara këtë përpjekje deri në fund, por synon ta bëjë këtë në bashkëpunim me Izraelin.
Netanyahu shtoi se të dy vendet do të synojnë jo vetëm udhëheqjen iraniane, por edhe grupet e armatosura të lidhura me Teheranin, përfshirë Hamasin në Rripin e Gazës dhe Hezbollahun në Liban.
Konflikti mes Izraelit, Shteteve të Bashkuara dhe Iranit u përshkallëzua në fund të shkurtit, kur Izraeli dhe SHBA-ja nisën sulme të gjera kundër Iranit.
Udhëheqësi i atëhershëm suprem iranian, Ajatollah Ali Khamenei, u vra në një sulm ajror izraelit në rezidencën e tij zyrtare.
Irani u kundërpërgjigj me sulme masive me raketa dhe dronë ndaj Izraelit dhe bazave amerikane në rajon.
Palët ranë dakord për një armëpushim në prill, por luftimet vijojnë dhe konflikti po ndikon ndjeshëm në ekonominë globale.
Deklaratat e fundit të Netanyahut tregojnë se objektivi i Izraelit nuk kufizohet më vetëm në frenimin e kapaciteteve ushtarake iraniane, por përfshin shprehimisht edhe rrëzimin e regjimit në Teheran. /Ad.Ab./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.