IZRAEL – Sondazhet pas votimit: Partia e Netanyahut kryeson në zgjedhjet parlamentare
TEL AVIV, 27 tetor /ATSH-DPA/- Partia e djathtë “Likud”, e drejtuar nga kryeministri Benjamin Netanyahu, ka dalë si forca kryesore në zgjedhjet e sotme parlamentare në Izrael, sipas sondazheve të kryera pas votimit.
Sipas sondazheve të publikuara nga televizionet kryesore, “Likud” ka siguruar 24 deri në 25 vende nga 120 që ka parlamenti izraelit, i njohur si “Knesset”.
Në vendin e dytë renditet “Yashar”, partia e qendrës e drejtuar nga ish-shefi i ushtrisë, Gadi Eisenkot, me 21 vende.
Megjithatë, duket se as grupi i partive që mbështet Netanyahun dhe as kundërshtarët e tij politikë, nuk kanë siguruar shumicën e nevojshme për të qeverisur.
Sipas sondazheve, grupi i partive që mbështet Eisenkotin ka dy deri në tre vende më shumë se ai i Netanyahut, i cili ka siguruar vetëm 50 nga 120 vendet në parlament.
Për këtë arsye, formimi i qeverisë pritet të jetë i vështirë.
Në javët e ardhshme, mund të zhvillohen negociata të ndërlikuara mes partive për të siguruar mbështetjen e nevojshme për krijimin e qeverisë së re.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi se pjesëmarrja në votime deri në orën 20:00 ishte më e larta për këtë orar që nga viti 1988.
Sipas komisionit, dy orë para mbylljes së qendrave të votimit, kishin votuar 74,3% e rreth 7,3 milionë qytetarëve me të drejtë vote.
Në të njëjtën orë gjatë zgjedhjeve të fundit, të zhvilluara katër vjet më parë, pjesëmarrja ishte 66,3%.
Në përfundim të atyre zgjedhjeve, votuan gjithsej 70,6% e qytetarëve me të drejtë vote. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.