Kremlini: Putin e ftoi Zelenskyn në Moskë, u zotua se do t’i garantojë sigurinë
MOSKË, 27 tetor /ATSH AA/- Ndihmësi i Kremlinit, Yuri Ushakov, ka deklaruar se presidenti rus, Vladimir Putin, e ka ftuar në Moskë presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, për negociata të drejtpërdrejta, duke e siguruar se do të ofroheshin të gjitha kushtet e nevojshme, përfshirë masat e sigurisë.
Siç raporton agjencia shtetërore e lajmeve Tass, Ushakov tha se kryeministri norvegjez, Jonas Gahr Store dhe presidenti finlandez, Alexander Stubb, i kishin thënë Putinit gjatë një telefonate të fundit se Zelensky ishte i interesuar të zhvillojë bisedime të drejtpërdrejta me presidentin rus.
“Lideri ynë përsëriti se, nëse Zelenskyy dëshiron vërtet të zhvillojë negociata të drejtpërdrejta, ai duhet të vijë në Moskë, ku do t’i sigurohen të gjitha kushtet e nevojshme, përfshirë ato që lidhen me sigurinë e tij”, tha Ushakov.
Ushakov gjithashtu tha se telefonata mes Store, Stubb dhe Putin u përqendrua kryesisht te një marrëveshje për rifillimin e bisedimeve trepalëshe mes përfaqësuesve të Rusisë, Ukrainës dhe SHBA-së në Abu Dhabi, kryeqytetin e Emirateve të Bashkuara Arabe.
“Pati shumë pyetje lidhur me këtë çështje dhe kërkesa për sqarime nga ana jonë”, tha ai.
Ushakov tha se çështja e përfaqësimit evropian në negociatat për Ukrainën nuk po shqyrtohet aktualisht.
“Ne nuk po shqyrtojmë fare se kush mund ta përfaqësojë Evropën, pasi kjo do të vendoset në një fazë shumë më të vonshme”, tha ai.
Ai shtoi se telefonata zgjati 90 minuta dhe përfundoi me marrëveshjen e palëve që të bisedojnë sërish nëse do të jetë e nevojshme.
“Telefonata ishte, do të thosha, gjithëpërfshirëse dhe përmbajtësore”, tha ai.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.