IZRAEL – Zgjedhjet e tetorit vënë në rrezik të ardhmen politike të Smotrich
– Ministri izraelit i Financave, Bezalel Smotrich, një nga figurat kryesore të së djathtës ekstreme, po përballet me një krizë politike para zgjedhjeve të tetorit, pasi ka zemëruar një pjesë të mbështetësve të tij, në kolonitë izraelite në Bregun Perëndimor, sipas “Reuters”.
Arsyeja kryesore është qëndrimi i tij për shërbimin ushtarak të hebrenjve ultra-ortodoksë.
Smotrich votoi për një ligj që pengonte arrestimin e atyre që refuzojnë rekrutimin në ushtri, edhe pse më parë kishte mbështetur idenë që ata duhet të shërbejnë.
Shumë prej mbështetësve të tij, sidomos kolonë në Bregun Perëndimor, e kritikojnë këtë vendim, duke thënë se në kohë lufte, të gjithë duhet të kontribuojnë në mbrojtjen e vendit.
Smotrich, 46 vjeç, drejton partinë “Sionizmi Fetar”, e cila kundërshton krijimin e një shteti palestinez dhe mbështet zgjerimin e vendbanimeve hebraike në territoret e pushtuara.
Gjatë kohës në qeveri, ai ka nxitur ndërtimin e më shumë vendbanimeve izraelite në Bregun Perëndimor, një politikë që kundërshtohet nga palestinezët dhe shumë vende perëndimore.
Smotrich ka thënë se arrestimi i hebrenjve ultra-ortodoksë që shmangin ushtrinë, do të krijonte përçarje brenda shoqërisë izraelite.
Sipas tij, ata duhet të rekrutohen, por përmes një procesi gradual dhe me marrëveshje politike.
Megjithatë, disa ish-mbështetës të tij thonë se ai ka braktisur parimet e partisë dhe se po sakrifikon vlerat e saj, për të qëndruar në koalicionin qeverisës të kryeministrit Benjamin Netanyahu.
Sondazhet e fundit tregojnë se partia e Smotrich, mund të mos kalojë pragun minimal prej 3,5% të votave, për të hyrë në parlament në zgjedhjet e 27 tetorit. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.