Jahjaga dekoron ambasadoren Jacobson me Urdhrin për Paqe
Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, priti sot në takim lamtumirës ambasadoren e SHBA-së në Kosovë, Tracey Ann Jacobson, të cilën e dekoroi me Urdhrin për Paqe, Demokraci dhe Humanizëm “Ibrahim Rugova”, për kontribut të veçantë për ndërtimin e paqes, zhvillimin e demokracisë dhe kultivimin e humanizmit në Republikën e Kosovës.
Sipas një njoftimi të Presidencës, presidentja Jahjaga e falënderoi ambasadoren Jacobson për mbështetjen e vazhdueshme të qytetarëve dhe institucioneve të Kosovës dhe gjithashtu për përkrahjen e proceseve demokratike nëpër të cilat po kalon vendi.
“Presidentja Jahjaga e vlerësoi miqësinë e ambasadores Jacobson dhe përfaqësimin e denjë të SHBA-së në Kosovë”, thuhet në njoftim.
Më tej shtohet se ambasadorja Jacobson e falënderoi presidenten Jahjaga për nderimin me Medalje Presidenciale dhe e vlerësoi si shumë të veçantë miqësinë me qytetarët e Kosovës.
“Ajo gjithashtu e vlerësoi rolin dhe angazhimin e presidentes Jahjaga si faktor uniteti dhe theksoi se Kosova duhet të vazhdojë të ndërtohet si një shtet demokratik e gjithëpërfshirës”, përfundohet në njoftim.