Jahjaga pas vrasjes së dyfishtë në Livoç: Edhe sa jetë duhet të shuhen që dhuna ndaj grave të mos trajtohet si tragjedi e radhës?
Ish-presidentja Atifete Jahjaga ka reaguar pas krimit të rëndë në Livoç të Gjilanit, ku 38-vjeçari dyshohet se vrau bashkëshorten dhe vëllain e saj; thotë se dhuna ndaj grave nuk është çështje private familjare, por përgjegjësi e shoqërisë dhe institucioneve.
Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka reaguar pas vrasjes së dyfishtë në Livoç të Gjilanit, duke pyetur publikisht: “Edhe sa jetë duhet të shuhen që dhuna ndaj grave mos të trajtohet vetëm si një tragjedi e radhës?”, siç njofton fiks.al.

Jahjaga ka vlerësuar se vrasja e grave nuk është thjesht një tragjedi individuale e as një çështje private familjare. Sipas saj, është përgjegjësi e gjithë shoqërisë dhe e institucioneve që të sfidohen mentalitetet që normalizojnë dhunën, heshtja që e toleron atë, si dhe çdo përpjekje për ta justifikuar apo minimizuar. “Ngjarja e rëndë dje në Gjilan na tronditi thellësisht, por përtej dhimbjes dhe tronditjes, duhet të përballemi me një realitet të hidhur: ende jetojmë në një shoqëri ku gratë humbin jetën pikërisht nga ata pranë të cilëve duhen të ndihen të sigurta”, ka shkruar ajo, siç përcjell fiks.al.
Ajo ka shtuar se asnjë grua nuk duhet të jetojë me frikën se mund të vritet dhe asnjë grua nuk duhet ta paguajë me jetë të drejtën për të jetuar e lirë, e sigurt dhe me dinjitet, ndërkohë që i ka shprehur ngushëllime familjeve që vajtojnë humbjen e më të dashurve të tyre.
38-vjeçari V.R. dyshohet se vrau bashkëshorten e tij, 30-vjeçaren N.B., dhe vëllain e saj, E.R., si dhe plagosi axhën e të ndjerëve; më pas i dyshuari është dorëzuar në Polici. Reagimi i Jahjagës vjen pas një vargu reagimesh nga dita e premte, përfshirë atë të presidentes Vjosa Osmani, pas tragjedisë që tronditi Kosovën.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.