Janis Varufakis – njeriu në postin më të vështirë
Në fillim u dëgjuan deklarata të forta, tani sinjalet nga Athina janë zbutur. Edhe ministri i ri i Financave të Greqisë Varoufakis e ka të qartë se është në diskutim e ardhmja e vendit.
“Vendi ynë nuk pranon të bashkëpunojë me trojkën”, tha Varoufakis të premten (30.01.2015) në Athinë dhe buzëqeshi. “Ylli pop i ekonomisë” provokon. Me deklaratën e tij ai tërhoqi vëmendjen ndërkombëtare. Kudo të gjithë pyesin: e ka seriozisht ai?
Retorika zbutet
Njeriut, i cili programin e shpëtimit të BE-së për Greqinë e quajti “waterboarding fiskal”, një metodë torture, në të cilën viktimat lejohet të mbushen me frymë vetëm rrallë, mund t’i besosh se i ka seriozisht ato që thotë. Por kryeministri grek, Alexis Tsipras u përpoq menjëherë në biseda telefonike me presidentin e Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker dhe me Presidentin e Bankës Qendrore Evropiane (BQE), Mario Draghi, që t’i qetësojë partnerët. Edhe Varoufakis e uli tonin në një bisedë që bëri pak më vonë me BBC. Sepse shumë grekë iu turrën bankave, nga frika për paratë e tyre. Banka Qendrore Evropiane ka kërcënuar që në fund të shkurtit do t’ua mbyllë rubinetin bankave greke, nëse deri atëherë Athina nuk bie dakord me kreditorët.
Deklaratat e tij përsa i përket bashkëpunimit me trojkën me sa duket janë keqkuptuar për shkak të përkthimit, tha Varoufakis: natyrisht që do të zhvillohen negociata me institucionet e veçanta të trojkës, me Komisionin Evropian, me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe me Bankën Qendrore Evropiane. Ai theksoi se do të flitej patjetër edhe me vendet e veçanta donatore. Ai thjesht nuk pranon të flasë me trojkën, e cila kërkon të imponojë një program në Greqi, i cili në vështrimin e qeverisë së tij ka dështuar. “Ne duam një program të ri, një marrëveshje të re për Greqinë”.
T’i jepet fund kursimit
Objektivi i tij është të reformohet Greqia. “Prej pesë vjetësh pret ky vend për reforma dhe nuk i sheh gjëkundi”, tha 53 vjeçari në një intervistë. “Përkundrazi, ne e deformojmë veten për shkak të programit të kursimit, i cili nuk merret me plagën kanceroze në ekonominë greke”. Veç kësaj ai kërkon t’i mbërthejë në fyt oligarkët dhe korrupsionin dhe të eleminojë imunitetin e taksave.
Varoufakis ndodhet tani para sfidës monumentale, për të rivendosur “dinjitetin e grekëve”: Alexis Tsipras dhe partia e tij Syriza premtuan në fushatë elektorale se do të rikthejnë në punë punonjësit e pushuar për shkak të programit të kursimeve. Veç kësaj, paga minimale do të shtohet me 40 përqind. Tani është Varoufakis ai që duhet të mbledhë paratë për këto masa. Si synon ta arrijë këtë, ai nuk e ka bërë ende të qartë.
Rreth 25 përqind e grekëve janë të papunë, tek të rinjtë papunësia është 50 përqind. Po të mos realizohen së paku disa nga premtimet e qeverisë, atëherë qeveria e Ciprasit do të humbasë shpejt besueshmërinë.
Jo vetëm njeri i teorisë
Varoufakis, i cili pasi ndoqi studimet e larta për matematikë dhe statistikë e mbrojti doktoraturën në ekonomi në Universitetin e Essex-it, ka pasur që herët kontakte me politikën. Ai ishte këshilltar i drejtuesit të opozitës, Jorgos Papandreou. Por u grind me të para zgjedhjes së tij si kryeministër më 2009. Kur kriza shpërtheu para pesë vjetësh, ai e vështroi menaxhimin e krizës si mësues i shkollës së lartë, që nga Australia, Skocia dhe SHBA. Në librin e tij “Minotauri global” ai kërkon një debat parimor në vend të aksioneve të shpejta të shpëtimit.