Teknologji

Japoni, robotët si zgjidhje për popullsinë në plakje

Një turmë mblidhet rreth hyrjes së departamentit luksoz të shitjeve të Mitsukoshit në Tokio. Ky dyqan daton që nga fundi i shekullit 17 kur ishte një dyqan kimonosh.

Duke u përshtatur me historinë e dyqanit, mikpritësi i ri mban veshur një kimono tradicionale japoneze, ndërsa shpërndan informacion te turma e mbledhur, reagimet e së cilës variojnë nga dëfrimi te hutimi. Është e vështirë të imagjinohet se themeluesit e dyqanit në fundin e viteve 1600 të kenë imagjinuar këtë lloj punonjësi.

Kjo sepse ai që mirëpret klientët nuk është një njeri, por një robot. Aiko Chihira është një android i prodhuar nga Toshiba, i projektuar të duket dhe të lëvizë si një person i vërtetë. Ai u vu në ekspozim të përkohshëm në departamentin e shitjeve.

Toshiba thotë se Chihira ka 43 motorë që i lejojnë të lëvizë, flasë në gjuhë shenjash dhe madje të këndojë. Mikpritësja e rregullt e dyqanit, Ayako Seiryu, thotë se ajo nuk është e shqetësuar rreth robotit që e zëvendëson atë – i pari robot i krijuar për të përfaqësuar një grua të vërtetë 32-vjeçare.

“Komunikimi është i rëndësishëm, – thotë ajo. – Fuqia ime është se unë mund të flas në të vërtetë me njerëzit”. Chihira nuk mundet ende të bëjë një bisedë, pranon Hitoshi Tokuda, zëdhënësi i Toshibës. Por ai thotë se teknologjia po evoluon shpejt dhe një ditë, robotët si Chihira mund të zëvendësojnë njerëzit në disa punë ta caktuara.

Një numër në rritje i bizneseve japoneze po testojnë robotë si një zgjidhje e mundshme për forcën punëtore në tkurrje të vendit. Ata po shfaqen në dyqane, banka dhe së shpejti edhe në hotele.

Bank e Tokyo-Mitsubishi UFJ po provon “Nao”, një shërbim robotik klientësh që u përgjigjet pyetjeve bazë dhe është i projektuar të flasë 19 gjuhë. Robotika poliglote mund të jetë shumë e dobishme për t’i shërbyer klientëve të huaj gjatë Lojërave Olimpike Tokio 2020. Deri atëherë, banka shpreson të ketë edhe më shumë robotë në staf.

“Piperi” është një robot humanoid që “bisedon” me klientët. Një humanoid ka karakteristika si të njerëzve, për shembull krahë, këmbë dhe një kokë – por është projektuar të duket si robot. Prodhuesi Softbank shpreson që Piperi të jetë një robot familjeje, si te filmi vizatimor “Jetsons”. Një hotel i planifikuar të hapet në parkun e lojërave Huis Ten Bosch në Nagasaki këtë verë synon të ketë 10 robotë si anëtarë stafi dhe ta rrisë numrin në më shumë se 90 për qind të shërbimeve të hotelit të bëhen nga robotët.

Risia e së sotmes mund të jetë domosdoshmëria e së nesërmes. Japonia ka një popullatë në plakje që ka nxitur debate të flakta rreth përfshirjes së robotëve në forcën punëtore të shtetit. Një grup që duket se ka dëshirë të përqafojë robotët janë qytetarët e moshuar të Japonisë.

Një sondazh nga operatori i shërbimit në shtëpi Orix Living zbuloi se më shumë të moshuar ndihen rehat kur kujdeset për ta një robot sesa kur marrin shërbim nga një infermiere e huaj. Në një shtet ku popullata po pakësohet, ku fuqia punëtore po zbehet dhe ka rezistencë të madhe ndaj imigrimit, duket se robotët mund të luajnë një rol shumë të madh në të ardhmen e Japonisë.

Roboti ‘Piper’ kupton ndjenjat

Një numër në rritje i bizneseve japoneze po testojnë robotë si një zgjidhje e mundshme për forcën punëtore në tkurrje të vendit

Një hotel i planifikuar të hapet në parkun e lojërave Huis Ten Bosch në Nagasaki këtë verë planifikon të ketë 10 robotë si anëtarë stafi

Një grup që duket se ka dëshirë të përqafojë robotët janë qytetarët e moshuar të Japonisë, për të cilët kujdesen robotët

Duke përdorur funksionet e njohjes së emocioneve, roboti Piper që doli në shitje në shkurt të 2015-s, mund të kuptojë dhe reagojë ndaj njerëzve që bëjnë shaka, kërcejnë dhe madje bëjnë muzikë rep në gjuhën japoneze. Ai mund të analizojë shprehjet njerëzore, tonet e zërit dhe gjestet, duke mundësuar më pas reagimin ndaj tyre.

Ky lloj roboti mund të shërbejë për edukim, shëndetësi dhe argëtim, por synimi i tij kryesor nuk është puna e rëndë, por argëtimi në shtëpi apo dyqane. Piperi është roboti ideal për një familje dhe shumë shpejt mund të bëhet familja e atyre që kanë mbetur vetëm.

*Burimi: CNN

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button