Java Kulturore Britaniko-Ukrainase në Tiranë, Abbott: Kulturat afrojnë popujt përtej kufijve
Kultura, arti dhe krijimtaria janë në qendër të Javës Kulturore Britaniko-Ukrainase, një nismë që sjell në Tiranë një program aktivitetesh artistike dhe synon të forcojë lidhjet mes Shqipërisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Ukrainës.
Ambasadori britanik në Shqipëri, Nicholas Abbott, gjatë fjalës së tij, theksoi se zgjerimi i Javës Britanike në një aktivitet të përbashkët me Ukrainën përfaqëson një mundësi të veçantë për të afruar kulturat dhe për të forcuar lidhjet mes njerëzve.
“Këtë vit, doja që të bënim diçka ndryshe. Ajo që zakonisht ka qenë Java Britanike u bë diçka më e madhe, një javë e dedikuar për të treguar se sa të afërta mund të bëhen kulturat, edhe kur vetë vendet ndodhen kaq larg njëra-tjetrës në hartë”, u shpreh Abbott.
Ai vlerësoi përgatitjet e realizuara gjatë muajve të fundit, duke nënvizuar rëndësinë e kësaj nisme për të krijuar hapësira të reja bashkëpunimi kulturor mes vendeve.
Nga ana e saj, e Ngarkuara me Punë e Ambasadës së Ukrainës në Shqipëri, Yulia Gorokhovska, falënderoi Shqipërinë dhe Mbretërinë e Bashkuar për mbështetjen ndaj Ukrainës dhe popullit ukrainas që prej fillimit të agresionit rus.
Ajo theksoi se kultura është një element thelbësor për ruajtjen e identitetit kombëtar dhe për përcjelljen e historisë së Ukrainës në botë, veçanërisht në kushtet e luftës.
“Për ukrainasit, kultura është shumë më tepër sesa art. Është një mënyrë për të ruajtur identitetin tonë, për të ndarë historinë tonë dhe për të ndërtuar ura me miqtë në mbarë botën”, deklaroi Gorokhovska.
Sipas saj, kjo javë përbën një mundësi të rëndësishme për të promovuar kulturën ukrainase dhe për të sjellë artistët ukrainas në një hapësirë të përbashkët krijimtarie dhe shkëmbimi kulturor.
Programi përfshin aktivitete në fushën e animacionit, fotografisë, kinemasë, muzikës, performancës dixhitale dhe poezisë. Në kuadër të tij, më 7 tetor, në kinemanë “Millennium” në Tiranë, u zhvillua masterklasi “Bringing Characters to Life”, kushtuar teknikës së animacionit stop-motion, me artistin Tim Allen, pjesë e ekipit të filmit “Pinocchio” të Guillermo del Toro, fitues i çmimit Oscar.
Java Kulturore Britaniko-Ukrainase 5-10 tetor, organizohet në bashkëpunim me partnerë shqiptarë dhe britanikë, me synimin për të nxitur shkëmbimin artistik, dialogun kulturor dhe miqësinë mes popujve.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.