“Jeta është një ëndërr”, Anthony Hopkins publikon albumin e tij të dytë klasik
LONDËR, 22 gusht, ATSH/ Sir Anthony Hopkins, një nga aktorët më të njohur të kinemasë botërore dhe fitues i dy çmimeve Oscar, ka publikuar albumin e tij të ri me muzikë klasike, “Life is a Dream”, në moshën 88-vjeçare.
Albumi është një projekt tejet personal për Hopkins, i cili ka kompozuar muzikë gjatë gjithë jetës së tij. Ai mësoi të luante piano që në moshën katërvjeçare dhe ka shkruar disa prej veprave të përfshira në album gjatë dekadave të ndryshme të jetës së tij.
“Life is a Dream” përmban 12 kompozime, të interpretuara nga orkestra filarmonike nën drejtimin e dirigjentit të njohur Gustavo Dudamel. Disa prej veprave datojnë që nga vitet 1960 dhe janë frymëzuar nga fëmijëria e Hopkinsit në Uells.
Një prej pjesëve, “Bracken Road”, është shkruar në vitin 1963, kur Hopkins ishte aktor i ri në Liverpool Playhouse. Vepra lidhet me kujtimet e tij nga vendlindja dhe fëmijëria në Port Talbot. Një tjetër kompozim, “My Fatherland”, i kushtohet origjinës së tij në Uells.
Hopkins, i cili prej më shumë se pesë dekadash jeton në Los Angeles, ka treguar se muzika ka qenë gjithmonë një prej pasioneve të tij të mëdha. Edhe pse karriera e tij në aktrim e bëri një nga figurat më të njohura të kinemasë, kompozimi ka mbetur një pjesë e rëndësishme e jetës së tij krijuese.
Albumi vjen më shumë se një dekadë pas publikimit të albumit të tij të parë, “Composer”, në vitin 2012.
Në moshën 88-vjeçare, Anthony Hopkins vijon të dëshmojë se krijimtaria nuk njeh moshë, duke iu rikthyer një pasioni që e ka shoqëruar që nga fëmijëria.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.